Liderët e partive konservatore dhe socialiste gjermane thuhet se kanë rënë dakord për një marrëveshje koalicioni për të formuar qeverinë e ardhshme, raportojnë mediat gjermane.
Agjencia gjermane e shtypit dpa ka raportuar se liderët e dy partive do të marrin pjesë në një konferencë të përbashkët shtypi në orën 15:00 për të paraqitur rezultatin e bisedimeve të tyre.
Por marrëveshja do të duhej të miratohej me një votim të 357,000 anëtarëve të Socialdemokratëve (SPD), gjë që pritet të zgjasë të paktën dhjetë ditë, që do të thotë se kreu i CDU-së, Friedrich Merz nuk ka gjasa të konfirmohet zyrtarisht si kancelari i ardhshëm gjerman përpara majit.
Mediat gjermane raportojnë se CDU/CSU do të marrë ministrinë e Brendshme dhe atë të Jashtme, duke marrë përsipër punën kritike për zgjidhjen e krizës së migracionit të vendit dhe gjetjen e vendit të Gjermanisë në botë, pavarësisht pasigurisë globale që rrethon administratën e re amerikane.
Ndërkaq, SPD-ja, e cila ka drejtuar qeverinë në largim të Olaf Scholzit, do të mbajë ministrinë e Financave dhe atë të Mbrojtjes, duke lënë ministrin popullor të Mbrojtjes Boris Pistorius edhe në kabinetin e ardhshëm.
Arritja e koalicionit qeverisës po ndodh në kohën kur partia e ekstremit të djathtë, “Alternativa për Gjermaninë” ka dalë e para në një sondazh, për herë të parë në histori./Koha.net