Mijëra qytetarë pritet të protestojnë sot kundër rritjes së çmimit të rrymës

Mijëra qytetarë pritet të marrin pjesë në protestën që është paralajmëruar të mbahet sot (e shtunë) për të kundërshtuar propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për ngritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind nga muaji prill, raporton KosovaPress.

Protesta po organizohet nga nisma “Jo Rritjes së Çmimit të Energjisë Elektrike në Kosovë! AsnjeCentMeShumë”, e cila pritet të fillojë nga ora 15:00 nga sheshi “Skenderbeu” në Prishtinë.

Themeluesi i këtij grupi, Luan Hasanaj thekson se janë në përgatitjet finale për këtë protestë, duke shtuar se mobilizimi është jashtëzakonisht i madh dhe se grupi ka mbi 5 mijë anëtarë.

Ai derisa konsideron rritjen e çmimit të energjisë si një vendim të dëmshëm për qytetarët e Kosovës, bënë gjithashtu thirrje për pjesëmarrjen e një numri të madh qytetarësh që do të kundërshtojnë këtë vendim.

Hasanaj: Presim që protesta të jetë kogja masive, presim një numër të madh të qytetarëve

“Kemi një mobilizim të jashtëzakonshëm të plot aktivistëve, akterëve të cilët kanë ndihmuar në organizimin e kësaj proteste. Në grupin të cilin e kemi themeluar para dhjetë dite janë diku mbi pesë mijë anëtarë, pra është një grup shumë i madh i cili është shumë aktiv dhe gjithmonë diskutohet për këtë problem dhe vendim të dëmshëm i cili po synohet të merret në dëm të qytetarëve. Andaj, presim që protesta të jetë goxha masive. Presim një numër të madh të qytetarëve që do të dalin dhe bashkërisht të kundërshtojnë këtë vendim të dëmshëm, aq më pak kur po shihet që nuk ka ndonjë reflektim pozitiv qoftë nga ZRrE, e tanimë jemi dëshmitar që edhe vet ministrja e Ekonomisë ka dalë me deklarata dhe i ka bërë publike rekomandimet që ka dërguar tek ZRrE. Pra, ku pranon këtë rritje, këtë vendim të dëmshëm”, deklaron Hasanaj, transmeton KosovaPress.

Ndërkaq, ai thotë se në rast se nuk merret parasysh kërkesa e tyre, nuk do të ndalen së protestuari.

Hasanaj: Protesta nuk do të ndalet

“Protesta nuk do të ndalet, do të jetë e menjëhershme protesta pasuese, derisa ky vendim të mos merret. Të hapim diskutim publik me gjithë akterët dhe grupet e interesit. Dhe vetëm pas marrjes së ndonjë mase, pas konstituimit të institucioneve, atëherë mund të presim që eventualisht qytetarët do të mund t’i përballojnë këto fatura të cilat do të rriten në gjithë sektorët, atëherë mund të flasim ndoshta edhe për rritje të çmimeve. Protesta do të fillojë në sheshin “Skenderbeu” në ora 15:00, dhe nga aty do te defilojmë deri tek sheshi “Zahir Pajaziti”, thotë Hasanaj.

Bizneset ta mbështesin protestën

Ai po ashtu ka bërë të ditur se një numër i bizneseve e kanë konfirmuar që në shenjë solidariteti me protestën, prej orës 15:00 deri në 16:00 do t’i mbyllin bizneset e tyre.

Hasanaj: Në shenjë solidariteti me protestën prej orës 15:00 deri në pra 16:00 t’i mbyllin bizneset e tyre

“Do të jenë mijëra qytetarë që do të marrin pjesë…Gjithashtu këtyre ditëve ju kemi bërë thirrje të gjitha bizneseve që në shenjë solidariteti me protestën prej orës 15:00 deri në pra 16:00 t’i mbyllin bizneset e tyre. Një pjesë tyre e kanë konfirmuar që do të bëjnë një gjë të tillë, presim të bëjnë të gjithë, sepse krahas qytetarëve ky vendim do të prek në masë të madhe edhe bizneset”, nënvizon Hasanaj.

Më 14 mars, Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë njoftoi se ka propozuar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike për rreth 15 për qind – nga muaji prill.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK) mbështetë protestën e thirrur për sot, për të kundërshtuar rritjen e paralajmëruar të çmimit të energjisë.

Që nga ditët e para kur është përmendur rritja e çmimit të energjisë, DhTIK ka ngritur alarmin duke u kërkuar institucioneve që të veprojnë për ta parandaluar një veprim të tillë, raporton KosovaPress.

Lexo edhe: https://kosovapress.com/dhtik-mbeshtete-protesten-e-thirrur-per-te-shtunen-per-te-kundershtuar-shtrenjtimin-e-paralajmeruar-te-energjise

Po ashtu, edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMLDNj) fton qytetarët e Kosovës që të dalin në numër sa më të madh në protestën e paralajmëruar për sot, për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe për të kërkuar përgjegjësi nga ZRRE dhe për mos kompensim të dëmit të bërë.

Lexo edhe: https://kosovapress.com/shtrenjtimi-i-rrymes-kmdlnj-fton-qytetaret-te-protestojne-me-5-prill

KMDLNJ përkujton se kjo është rritja e tretë e çmimit të rrymës gjatë mandatit 4-vjeçar të Qeverisë Kurti 2 që nënkupton se rritja e tretë e çmimit të rrymës e kompleton shifrën prej 146 për qind, transmeton KosovaPress.

Read Previous

​26 vjet nga masakra në Rezallë

Read Next

ZRRE-ja fton mediat në takim për çështjen e tarifave