Tarifat e propozuara të Bashkimit Evropian për mallrat kineze nuk janë një “ndëshkim”, u tha të shtunën zyrtarëve kinezë në Pekin ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck.
Vizita e Habeckut në Kinë është e para nga një zyrtar i lartë evropian që kur Brukseli propozoi detyrime të mëdha për importet e automjeteve elektrike të prodhimit kinez për të luftuar ato që BE-ja i konsideron subvencione të tepërta.
Kina paralajmëroi të premten përpara mbërritjes së tij se përshkallëzimi i tensioneve me BE-në për automjetet elektrike mund të shkaktojë një luftë tregtare.
“Është e rëndësishme të kuptohet se këto nuk janë tarifa ndëshkuese”, tha Habeck në seancën e parë plenare të dialogut për klimën dhe transformimin.
Vende të tilla si SHBA-ja, Brazili dhe Turqia kishin përdorur tarifa ndëshkuese, por jo BE-ja, tha ministri i ekonomisë. “Evropa i bën gjërat ndryshe”.
Habeck tha se për nëntë muaj, Komisioni Evropian kishte shqyrtuar në detaje nëse kompanitë kineze kishin përfituar padrejtësisht nga subvencionet, raporton Reuters.
Çdo masë doganore kundërbalancuese që rezulton nga rishikimi i BE-së “nuk është një ndëshkim”, ka theksuar ai, duke shtuar se masa të tilla synonin të kompensonin avantazhet e dhëna kompanive kineze nga Pekini.
“Duhet të arrihen standarde të përbashkëta dhe të barabarta për qasjen në treg”, tha Habeck.
Duke takuar Zheng Shanjien, kryetar i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës së Kinës, Habeck ka thënë se tarifat e propozuara të BE-së synonin të barazonin fushën e lojës me Kinën.
Zheng u përgjigj: “Ne do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur kompanitë kineze”.
Tarifat e propozuara të importit të BE-së për automjetet elektrike të prodhimit kinez do të dëmtonin të dyja palët, shtoi Zheng. Ai i tha Habeckut se shpresonte se Gjermania do të demonstronte lidership brenda BE-së dhe të bënte gjënë e duhur.
Ai mohoi gjithashtu akuzat për subvencione të padrejta, duke thënë se zhvillimi i industrisë së re energjetike të Kinës ishte rezultat i avantazheve gjithëpërfshirëse në teknologji, treg dhe zinxhirë industrie, të nxitura në konkurrencë të ashpër.
Detyrimet e përkohshme të BE-së do të zbatohen deri më 4 korrik, ndërsa hetimi do të vazhdojë deri më 2 nëntor.
Habeck u tha zyrtarëve kinezë se përfundimet e raportit të BE-së duhet të diskutohen.
“Tani është e rëndësishme të shfrytëzojmë seriozisht mundësinë që ofron raporti dhe të flasim apo negociojmë”, tha Habeck.
Pas takimit të tij me Zheng, Habeck foli me ministrin kinez të Tregtisë Wang Wentao, i cili tha se do të diskutonte tarifat me komisionerin e BE-së, Valdis Dombrovskis të shtunën në mbrëmje përmes videokonferencës./Koha.net