Ministri italian: Shqipëria duhet të anëtarësohet në BE në 2030

Ministri italian për Çështjet Evropiane, Italinë Jugore, Politikën e Kohezionit dhe NRRP të Italisë, Tommaso Foti, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se, viti 2030 është një datë e drejtë për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për ATSH-në, gjatë një seminari të mbajtur në Taranto organizuar nga AMAN (Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve) dhe agjencia italiane e lajmeve ANSA, në bashkëpunim me Komitetin Organizativ të Lojërave të 20-a Mesdhetare “Taranto 2026”, ministri Foti u shpreh se, Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy shtetet që janë pozicionuar më mirë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Foti gjithashtu foli edhe për përgatitjet për Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 si dhe për projektet e përbashkëta me vendin tonë.

Intervista e plotë e ministrit italian për Çështjet Evropiane, Italinë Jugore, Politikën e Kohezionit dhe NRRP të Italisë, Tommaso Foti për ATSH-në 

ATSH: Për sa i përket Lojërave Medhetare të Tarantos 2026, a ka plane kulturore sportive në bashkëpunim me Shqipërinë për këtë event?

Ministri Foti: Lojërat Mesdhetare janë në edicionin e 20-të, janë në një traditë që nuk ka si përfundim vetëm sportin, por një përqafim mes kulturash dhe traditash dhe të një civilizimi që një herë e një kohë thuhej (Mare Nostrum) ”Detërat tanë”. Kështu që do jetë një moment magjik, jo vetëm për Puljan, por për të gjithë vendet sfidante dhe mbi të gjitha ato vende që këto lojëra në Mesdhe i kanë parë edhe si një moment rritjeje si kulturore edhe sociale.

ATSH: Për sa i përket bashkëpunimit rajonal mes Italisë, por edhe mes vendeve të tjera si për shembull Shqipëria. A mund të na thoni ndonjë projekt në të ardhmen?

Ministri Foti: Ne mendojmë se Shqipëria është sigurisht një vend që ka një korrespodencë të madhe në sens afektiv me Italinë. Kemi realizuar siç e dini disa qendra emigracioni, por mendojmë se ka edhe mundësira të mëdha përsa i përket marrëdhënieve tregtare dhe turizmit.

ATSH: Për sa i përket aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian ku objektivi është viti 2030. Ju besoni se ky është një objektiv i arritshëm për Shqipërinë?

Ministri Foti: Sigurisht që Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet që kanë kaluar grup-kapitujt e parë për sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Janë shtetet që janë pozicionuar më mirë. Nevojitet sigurisht të përsosen disa çështje që sigurisht janë ato çështje që i interesojnë më shumë Evropës. Por mendoj se mund të jetë një datë e drejtë për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

ATSH: Pas Lojërave të Tarantos 2026, lojërat do të mbahen në Prishtinë 2030. A mendoni se Italia mund të ndihmojë Kosovën për këto lojëra?

Ministri Foti: Ne nuk kemi refuzuar të ndihmojmë asnjë, dhe nuk do ia kursejmë asnjërit. Duhet të them se kush do të organizojë këto lojëra duhet të ketë kapacitete të mjaftueshme për t’i realizuar ato, përndryshe bëhet e vështirë. /ATSH-Gjergji Mima/

Read Previous

Asnjë ekip gjerman në gjysmëfinalet e Kupave të Evropës

Read Next

AARC dhe Oda Amerikane: Vonesat në konstituimin e Kuvendit rrezikojnë stabilitetin e Kosovës