Të ardhurat totale të arkëtuara nga autoritetet shqiptare janë rritur me 58 miliardë lekë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose 11 për qind më shumë se 10-mujori i vitit 2023.
Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Financave, e cila zbuloi performancën paraprake të treguesve fiskalë të konsoliduar për këtë periudhë.
Të ardhurat totale, për 10-mujorin e 2024-ës, arritën në rreth 589 miliardë lekë, theksoi fillimisht titullari i institucionit Petrit Malaj.
Ndërsa, shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 10-mujore të vitit, arritën në rreth 517 miliardë lekë.
Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për të njëjtën periudhë arritën shumën 513 miliardë lekë.
Krahasuar me 10-mujorin e vitit 2023, janë mbledhur 46 miliardë lekë ose 10 për qind më shumë.
Të ardhurat doganore të mbledhura nga administrata doganore u realizuan në vlerën 190.4 miliardë lekë, 11.4 miliardë lekë ose 6.4 për qind më shumë se me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Malaj zbuloi po ashtu se të ardhurat nga TVSH-ja në import rezultojnë 128 miliardë lekë, 7.2 miliardë lekë ose 6 për qind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Ato nga akciza, 4.4 miliardë lekë ose 9.3 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023, ndërsa të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2.4 miliardë lekë.
Po ashtu, të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 7.4 miliardë lekë kurse të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore për 10-mujorin e 2024-ës u realizuan në masën 189 miliardë lekë, 21 miliardë lekë ose 12.6 për qind më shumë se 10-mujori i vitit të kaluar.
Krahasuar me planin 10-mujor, të ardhurat e mbledhura janë 1.6 miliardë lekë më shumë ose 0.9 për qind më shumë se plani.
Të dhëna të tjera:
- Të ardhurat nga TVSH-ja e arkëtuar (neto): 49 miliardë lekë, 8.7 miliardë lekë ose 21.7 për qind më shumë se 10-mujori 2023, si dhe 1 miliardë lekë ose 2.1 për qind më shumë se plani i TVSH-së për t’u arkëtuar në 10-mujorin 2024.
- Rimbursimet: 19.6 miliardë lekë, 3.8 miliardë lekë ose 24 për qind më shumë se 10-mujori 2023, si dhe 137 milionë lekë ose 0.7 për qind më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 10-mujorin 2024.
- Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin: 47 miliardë lekë, 182 milionë lekë ose 0.4 për qind më shumë se plani i 10 -mujorit të vitit 2024 për Tatimin mbi Fitimin.
- Tatimi mbi të ardhurat personale: 54.9 miliardë lekë, 6.5 miliardë lekë ose 13.5 për qind më shumë se 10-mujori 2023, si dhe 457 milionë lekë ose 0.8 për qind më shumë se plani i 10-mujorit 2024.
- Taksat nacionale: 37.8 miliardë lekë, 6.7 miliardë lekë ose 21.6 për qind më shumë se 10-mujori 2023, si dhe realizim 99.99 për qind të planit për 10-mujorin 2024.
- Të ardhurat nga fondet speciale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore: 133.4 miliardë lekë, 13.4 miliardë lekë ose 11.2 për qind më shumë se 10-mujori 2023, si dhe realizim 101 për qind të planit për 10 – mujorin 2024.
Lidhur me shpenzimet e përgjithshme publike, ato arritën në rreth 517 miliardë lekë me një realizim në masën 91.7 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ky zë ka rezultuar 7.1 për qind më i lartë ose rreth 33 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet korente, për të njëjtën periudhë rezultuan në rreth 462.9 miliardë lekë.
Ky zë ka rezultuar 8.1 për qind më i lartë ose rreth 34.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /Albanianpost.com