KF “Vëllaznimi” ka bërë zyrtare emërimin e Mirel Josës si trajner i ri i ekipit.
Ky vendim vjen si pjesë e një strategjie për të forcuar ekipin dhe për të arritur objektiva të rëndësishëm në sezonin aktual dhe ato në vijim.
Josa, një nga emrat më të njohur në futbollin shqiptar, sjell një përvojë të pasur, si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Ai ka drejtuar disa nga klubet më prestigjioze në Shqipëri, duke përfshirë Skënderbeun, Tiranën dhe Vllazninë, ai njihet për aftësitë e tij taktike dhe menaxheriale. Gjatë karrierës së tij, Josa ka fituar disa kampionate dhe kupa, duke dëshmuar cilësitë e tij si lider.
“Me kënaqësi ju njoftojmë që KF Vëllaznimi ka arritur marrëveshje me Trajnerin e mirënjohur Mirel Josa.Josa nga sot e ka filluar detyren e shefit të shtabit teknik në klubin Kuqezi dhe përgatitjet për sezonën pranverore.Mirel Josa një emër i njohur në futbollin mbarëshqiptar, me një përvojë të jashtëzakonshme dhe një vizion të qartë për të vazhduar me KF Vëllaznimin.”, thuhet në njoftimin e KF “Vëllaznimit”.
Emërimi i Josës është pritur me entuziazëm nga tifozët e “Vëllaznimit”, të cilët e shohin këtë lëvizje si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të performancës së ekipit në fushë. /tvsyrivision/