Mourinho: Futbolli është në duart e shumë fenomenëve të paaftë

Photo by EYE4images/NurPhoto via Getty Images

“Unë jam i fundit që mund të flas për VAR-in dhe kohën aktuale. Le t’ia lëmë këto tema fenomeneve të futbollit. Unë jam thjesht një trajner dhe dua të jem vetëm trajner. Pastaj ka trajnerë të mirë që nuk dinë të fitojnë, ekspertë të mediave sociale dhe njerëz që kanë fuqi vendimmarrëse, por që dinë për futbollin si unë për fizikën atomike”. Ishin këto fjalët e trajnerit Jose Mourinho gjatë një interviste të fundit me “Corriere dello Sport”.

“The Special One” ka publikuar një intervistë për “Corriere Dello Sport” në ditën e fundit të vitit 2024, ku ka folur për karrierën, keqardhjet dhe jetën personale.

Mourinho u shkarkua nga Roma në mesin e janarit 2024 dhe nënshkroi një kontratë dyvjeçare me Fenerbahce-n disa muaj më vonë.

“Unë e dua futbollin dhe punën time. Nuk dua të pres mundësinë ideale, vendin e përsosur dhe aq më pak, të marr një pushim. E di që shumëve u pëlqen, ose të paktën kështu thonë ata”, tha portugezi.

“I thashë po një klubi që më donte shumë dhe e dëshmova këtë që nga dita e parë”.

Mourinho u pyet për keqardhjet në jetën e tij personale.

“Shumë, nëse flasim për lojëra. Sa i përket vendimeve profesionale, jo për Florentino (Perez). Ai më tha: ‘Mou, mos shko tani, ke bërë pjesën e vështirë, tani fillon më e mira’. E dija se ishte e vërtetë, por doja të kthehesha te Chelsea pas tre vitesh sfidash të mëdha në Spanjë”.

“Dhe më pas Budapesti. Jo për rrëmujën e Taylor-it, por sepse nuk u largova menjëherë. Duhej të largohesha nga Roma. Nuk e bëra dhe ishte një gabim”, pranoi Mou.

Roma luajti dy finale evropiane radhazi nën “Special One”. Ata fillimisht fituan Conference League në 2022 dhe më pas humbën nga Sevilla në finalen e Europa League vitin e ardhshëm. Mourinho mbeti në klub pas asaj humbjeje, por u shkarkua gjashtë muaj më vonë.

Pas shkarkimit të tij, Mourinho madje kishte blerë bileta për të parë ndeshjen e parë të Roma-s në “Stadio Olimpico”, por në fund nuk mori pjesë në lojë.

“Jo një, katër (bileta)”, zbuloi ai.

“Isha në hotel me asistentët e mi dhe ata më thanë: ‘Zotëri, ju meritoni t’u thoni lamtumirë tifozëve dhe ata meritojnë t’ju thonë lamtumirë. Le të shkojmë’. E kam menduar për një kohë, dhe më pas kisha frikë se do të më akuzonin se po shqetësoja dikë dhe nuk i bëj këto gjëra”, tregoi ai.

Mourinho pranoi se “me siguri” do të kthehej në Serie A edhe nëse dëshiron të marrë drejtimin e një ekipi kombëtar një ditë.

“Nuk e kam parë më kurrë Roma-n të luajë, por kam parë Inter-in”, tha ai, për zikaltërit me të cilët fitoi tripletën në vitin 2010.

“Dua të luaj në një kampionat evropian apo një botëror dhe të bashkoj një vend rreth një ekipi, siç kam bërë shumë herë me klubet. Dua ta bëj për futbollin dhe atë që përfaqëson ky sport. Do të jetë e pabesueshme”, vijoi portugezi.

Mourinho gjithashtu vlerësoi Atalanta-n dhe Gian Piero Gasperini-n, veçanërisht për fitoren e tyre në Europa League në maj.

“Një shpërblim i madh për një projekt serioz që ka bërë mirë për shumë vite me të njëjtin trajner dhe filozofi”, tha Mou.

“Më vinte keq për Xabi (Alonso), mbështeta Bayer-in, por Atalanta e meritonte qartë që të fitonte. VAR-i dhe gjyqtarët ishin të mirë, të denjë për një finale evropiane”, shtoi ai.

Së fundmi, ai foli për Edoardo Bove, i cili bëri debutimin e tij për Roma-n nën Mou-n.

“Bove është si unë; askush nuk i ka dhuruar asgjë. Ai debutoi sepse ne kemi parime të ngjashme, edhe nëse ai ishte 20 dhe unë 60”, përfundoi Mourinho. /Albanianpost.com

Read Previous

Kryeministri i Malit të Zi thërret seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare

Read Next

Apple ofron zbritje për disa kategori produktesh në Kinë