Murati paralajmëron punësimin e 100 punëtorëve shtesë në ATK

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të mbështet me nga 100 euro punëtorët që kishin humbur vendet e tyre të punës në pandemi dhe që janë punësuar nga data 1 korrik e tutje.

Kjo ministri parasheh edhe punësimin e 100 punëtorëve shtesë në ATK për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Ministri këtij dikasteri, Hekuran Murati theksoi se mbështetja e këtyre punëtorëve do të bëhet për të nxitur formalizimin e tregut të punë, i cili shtoi se deri në fund të vitit synojnë që të gjithë punëtorët në sektorin privat të kenë kontrata të punës.

“Zgjerimi ka të bëjë me shtrirjen e mbështetjes edhe tek të punësuarit e deklaruar. Pra, bëhet fjalë për të gjithë të punësuarit, meqenëse masat kanë filluar që nga data 1 korrik e tutje, bëhet fjalë edhe për mbështetje retroaktive për të gjithë të punësuarit e deklaruar nga data 1 korrik e tutje që janë formalizuar apo janë deklaruar nga punëdhënësi në njërën nga këto masa 1.1, 1.2, dhe 1.3, të ketë mbështetje edhe për të punësuarit. Kësisoj duam të sigurohemi që të ketë një nxitje edhe nga ana e të punësuarve që të ketë një presion tek punëdhënësi I tyre për deklarim dhe për nënshkrim të kontratave[…]Për të gjithë të punësuarit, sipas masës 1.1, ata që kanë humbur vendet e punës në kohë të pandemisë dhe që janë punësuar nga data 1 korrik e tutje do të ketë mbështetje në vlerë prej 100 euro për tre muaj radhazi. Kurse, për masat tjerë, 1.2, dhe 1.3 për të gjithë të punësuarit e rinj mbështetja do të jetë 3 muaj nga 50 euro”, theksoi Murati.

Ministri Murati në një konferencë për media theksoi se kanë paraparë edhe shtimin e kapaciteteve në Administratën Tatimore të Kosovës(ATK), i cili tha se do të punësohen 100 punonjës shtesë për mbikëqyrjen e formalizmit të tregut të punës.

Për ta lehtësuar këtë proces, ministri Murati ka prezantuar edhe kontratat shabllon të cilat i ka hartuar kjo ministri për punëtorët që nuk kanë kontrata.

“Për masat 1.2 dhe 1.3 mjafton që punëdhënësi t’i deklaroj edhe të kenë kontrata të nënshkruara. Kur themi kontrata të nënshkruara, jemi munduar që si Ministri ta bëjmë më të lehtë meqenëse edhe portofolio e punës na bie si barrë neve, jemi munduar që të ofrojmë disa shabllone të kontratave, ku I kemi dizajnuar në këtë formë në mënyrë tabelare dhe me dy faqe. Janë tri shabllone të ndryshme të cilat do të vihen në dispozicion edhe në (ëebsite)m në mënyrë që të gjithë të punësuarit të kenë mundësi të shkojnë të marrin një kopje e dërgojnë tek punëdhënësi dhe kërkojnë që të nënshkruhet. Synimi ynë është që deri në fund të vitit të gjithë punëtorët të pajisen me këto kontrata së paku si këto si shabllon. Për të siguruar se implementohet kjo gjë, ne kemi paraparë edhe shtim të kapaciteteve në Administratën Tatimore, për rekrutim të rreth 100 personave shtesë që do të merren saktësisht vetëm me këtë punë”, theksoi ai.

Murati ka thënë se deri më sot për masat 1.1, 1.2 dhe 1.3 që burojnë nga Pakoja për Ringjalljen Ekonomike, 2500 biznese kanë aplikuar për tri masat, ndërsa vetëm për masën 1.3 që ka të bëj për gratë në biznes rreth 1 mijë e 300 kërkesa.

Lidhur me këto masa, deri më 15 tetor kur përfundon afati i deklarimit vullnetar për të gjitha palët, të gjithë ata që nuk e respektojnë dhe e zbatojnë ligjin do të përballen edhe me ndëshkime.

Sa i përket mbështetjes së familjeve që kanë humbur kryefamiljarin nga Covid-19, kjo masë sipas ministrit Murati pritet të nis së zbatuari së shpejti.

Read Previous

Mustafa nuk ndjehet mirë, kërkon të mos jetë i pranishëm në sallën e gjyqit

Read Next

Bezos ofron një miliard dollarë për mbrojtjen e tokës dhe detit