Derbi i xhiros në Serie A zhvillohet në termin jo shumë të zakonshëm – të dielën nga ora 12:30. Përballë do të jenë Napoli dhe Atalanta. Mbrojtjen e Napolit e udhëheq kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ndërsa atë të Atalantas, kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti.
Kjo ndeshje i takon xhiros së 11-të të kampionatit italian.
Napoli është lider me 25 pikë, katër më shumë se përcjellësi i parë, Interi. Atalanta është menjëherë e treta me 19 pikë, sa i kanë edhe Fiorentina e Lazio. Një fitore eventuale e Atalantas do ta hapte plotësisht garën për kreun e tabelës. Por te Napoli synojnë tjetër fitore për të mbajtur diferencën e pikëve me përcjellësit.
Juventusi e Milani, që kanë mbetur pak më prapa në tabelë, luajnë të shtunën. Juve nga ora 18:00 përballet në udhëtim me Udinesen. Milani është mysafir i Monzas, nga ora 20:45. Juventusi është i gjashti me 18 pikë, derisa Milani renditet i teti me 14 pikë.
Të dielën, Interi e pret Venezian nga ora 20:45, kurse Verona e Roma takohen nga ora 18:00. Prej orës 15:00 është takimi Torino – Fiorentina.
Tri ndeshje të kësaj xhiroje janë të hënën. /KOHA.net/