Në NBA, ndeshja më e rëndësishme e mbrëmjes përmbushi pritshmëritë e larta. Golden State triumfoi ndaj Dallas me vetëm tri pikë diferencë, duke e mbyllur sfidën në rezultatin 120-117 pas disa përmbysjesh dramatike. Stephen Curry shkëlqeu si protagonist absolut, duke fituar duelin me ish-partnerin e tij, Klay Thompson, që deri sezonin e kaluar konsiderohej “binjaku i tij i koshit.”
Ylli i Warriors ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 37 pikë, ndërsa shtoi edhe 6 topa të kapur në tabelë dhe 9 asistime. Klay Thompson shënoi 22 pikë në sfidën e parë si rival në “Chase Center” të San Franciscos. Për Dallas, Luka Dončić udhëhoqi skuadrën me 31 pikë, 8 topa në tabelë dhe 6 asistime, por kjo nuk mjaftoi për t’i siguruar fitoren.
Për Golden State, kjo ishte fitorja e 9-të në 11 ndeshje të këtij sezoni, duke e vendosur në krye të Konferencës së Perëndimit bashkë me Oklahoma dhe Phoenix. Ndërkohë, për Dallas, humbja e tretë radhazi përforcon bilancin negativ të sezonit, duke arritur në gjashtë disfata.
Në mbrëmjen dramatike të NBA-së nuk munguan surprizat, ku kampionët në fuqi të Boston Celtics u mposhtën në shtëpi nga Atlanta me vetëm një pikë diferencë, në rezultatin 116-117. Jaylen Brown dhe Derrick White shënuan së bashku 68 pikë, por nuk mundën të shmangin humbjen e tretë sezonale të Celtics, të cilët po humbasin terren përballë Cleveland, lider në Konferencën e Lindjes dhe skuadra e vetme e pamposhtur deri tani.
Nga ana tjetër, triumfi i Atlantës erdhi falë performancës mbresëlënëse të Daniels, që ishte shënuesi më i mirë i Hawks me 28 pikë në total. /abcnews.al