Me vendosje të buqetave me lule dhe një minutë heshtje u shënua 17 shkurti në Gjakovë. Kryetari i komunës, Ardian Gjini i shoqëruar nga bashkëpunëtorët dhe përfaqësues të OVL-UÇK-së, përfaqësues te Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera bënë homazhe pranë Lapidarit “Shokët e Lirisë”, në nderim të dëshmorëve dhe martirëve që dhanë jetën për liri.
Përkulje nderi e krenarie u bë edhe pranë shtatores së heroit, Agron Rama. Të gjithë së bashku homazhe bënë edhe te varrezat e dëshmorëve. Ata u pritën edhe nga familjarët e dëshmorëve të cilët ranë për lirinë e vendit. Nga këtu, kryetari Gjini ka uruar të gjithë qytetarët për festën e Pavarësisë dhe tha se dëshmorët dhe martirët janë arsyeja që ne sot festojmë dhe e gëzojmë lirinë.
Në këtë përvjetor të Pavarësisë homazhe u bënë edhe te kompleksi memorial në fshatin Meje aty ku u vranë dhe masakruan 376 civilë shqiptarë. Po në këtë ditë buqeta me lule u vendosën edhe në varrezat e martirëve në Çabrat. Me rastin e përvjetorit të 13- të Pavarësisë edhe Lëvizja Vetëvendosje, dega në Gjakovë ka nderuar me homazhe të gjithë ata që u flijuan për lirinë e vendit.
Gjeneratat e ardhshme duhet të festojnë dhe ta jetësojnë lirinë, ndërsa institucionet shtetërore duhet të punojnë për një shtet demokratik, për një mirëqenie dhe prosperitet për qytetarët e Kosovës u tha me këtë rast.