Ndeshja me Shqipërinë, Thomas Tuchel: Respekt për cilësinë e kundërshtarit

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel thotë se ai dëshiron që skuadra të luajë me “uri për të fituar” dhe jo “frikë për të humbur” ndërsa përgatitet për ndeshjen e tij të parë në krye të “Tre Luanëve” të premten ndaj Shqipërisë.

Anglia do të presë Shqipërinë në “Wembley” në takimin e parë në kualifikueset e Kupës së Botës 2026, me dy ekipet pjesë e Grupit K, së bashku me Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.

Tuchel foli në konferencën për shtyp para duelit me kuqezinjtë, duke shprehur vlerësim maksimal për ekipin e drejtuar nga Sylvinho.

“Unë në fakt jam gjithmonë pak nervoz para ndeshjeve, nuk mund të ishte ndryshe as tani. Tani është momenti të bëjmë hapin e parë, duhet të tregojmë respekt për Shqipërinë, për cilësinë dhe futbollin e këtij kundërshtari, duhet të jemi gati për t’u përshtatur me lojën”, tha Tuchel.

“Nuk jemi injorantë të themi se ne do të diktojmë lojën dhe të tjerët duhet të na përshtaten ne, jo, të gjithë do të përpiqen të gjejnë një zgjidhje kundër nesh dhe kjo është arsyeja se përse edhe ne duhet t’i përshtatemi të tjerëve”.

“E kam ndjerë emocionin deri tani në kampin stërvitor. Mendoj se krijuam një energji pozitive si fillim dhe jemi gati për ndeshjen nesër”.

“Duhet të vërtetojmë se jemi gati, duhet t’i bëj njerëzit të besojnë tek unë dhe projekti im. Kjo është puna jonë dhe nuk do të ndalet”.

“Është e mahnitshme, do të luajmë kundër Shqipërisë dhe kemi një ‘Wembley’ plotë, është shumë emocionuese. Jam pak nervoz, por është pjesë e emocionit”, theksoi ish-trajneri Chelsea, PSG dhe Dortmund. /Albanianpost.com

Read Previous

Studiohen pasojat që la në shëndetin e njerëzve pandemia COVID-19

Read Next

Rezultate surprizë në çerekfinalet e Nations League