Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë dëshmitari i 54-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili mban kodin W04739 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmia e këtij dëshmitari, është duke u dëgjuar me ‘dyer të mbyllura’ për publikun, me arsyetimin për mbrojtjen e tij.
Para se të mbyllet seanca, avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq kërkoi leje nga trupi gjykues që një jurist i tyre i cili nuk ishte bashkëmbrojtës, të bëjë pyetje për dëshmitarin.
Mishetiq tha se është konsultuar me Zyrën Administrative që sipas tij i kanë thënë se në aspektin ligjor nuk ka ndonjë problem.
Si rrjedhojë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se as për ata nuk ka ndonjë pengesë dhe se juristi mund të bëjë pyetje.
Ndryshe, dëshmia e këtij dëshmitari filloi të martën më 2 prill 2024 dhe pritet të vazhdojë edhe nesër. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.