Në grupmoshën më të gjerë të popullsisë shqiptare, atë në intervalin 25-59 vjeç, ka plot 343 mijë beqarë.
Këto janë të dhënat e fundit të publikuara nga Censi 2023, në të cilin vihet se njerëzit në moshë produktive, kanë statusin beqar, edhe pse më së shumti këtu dominojnë meshkujt.
Sipas Censit, nga i gjithë totali, janë 213 mijë e 232 meshkuj beqarë në grupmoshën 25-59 vjeç. Kjo shifër është tejet e lartë, pasi përbën plot 40% të totalit të meshkujve në këtë grupmoshë.
Nga ana tjetër, numri i febrave beqare për të njëjtin interval moshor ndalet në 129 mijë dhe zë në tërësi 23% të gjithë grupmoshës.
Tek meshkujt, intervali ku ka më së shumti beqarë, është ai ndërmjet 25 dhe 29 vjeç, me 67 mijë syresh. Shifra gjithsesi nuk mbetet e ulët as për meshkujt nga 30 deri në 34 vjeç, pasi ka mbi 59 mijë të tillë, të cilët ende kanë statusin e të pamartuarit.
Sa i takon moshave më të shtyra, shifrat nuk janë më tepër optimiste, duke marrë parasysh se për intervalin 35-39 vjeç ka 41 mijë meshkuj të pamartuar dhe në grupmoshën 40-44 vjeç ka 22.6 mijë të tillë.
Ashtu siç pritet, intervali me më së pakti beqarë është ai 50-54, me vetëm 6 mijë e 800 beqarë.
Në anën e femrave, është sërish mosha 25-29 ajo ku më së shumti ka vajza beqare, me 59 mijë. Në grupimin 30-34 vjeç janë 26.6 mijë dhe 26 mijë të tjera janë në grupimin 35-39 vjeç. Në grupin 50-54 vjeç janë vetëm 1 mijë e 116.
Ndryshimet më të mëdha shihen në grupmoshat 30-34 vjeç, ku ka 45% më shumë meshkuj beqarë se femra, si edhe në grupin 35-39 vjeç, ku ka 62% më shumë meshkuj beqarë se femra. /Albanianpost.com