Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve, bazuar në vlerësimin e gjendjes së përgjithshme të pandemisë në vend, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të të burgosurve dhe stafit, nga data 08 shkurt 2022 ka lehtësuar masat sa i përket vizitave familjare.
Sipas SHKK’së, vizita familjare për të burgosur në institucionet korrektuese lejohet për 2 persona të rritur dhe 1 fëmijë. Gjatë kohës së vizitës, vizitorët duhet të mbajnë maskat mbrojtëse, secili vizitor para se të hyjë në institucionin korrektues duhet të dëshmojë certifikaten për vaksinim me dy doza, ndërsa në rast të mos vaksinimit vizitorët duhet të posedojnë testin RT-PCR negativ për COVID-19 jo me i vjetër se 48 orë.
Për fëmijët nën moshën 12 vjeçare nuk kërkohet vaksinimi dhe testi për COVID-19.
Nga Shërbimi Korrektues kanë thënë po ashtu se do të lejohet shfrytëzimi i benificioneve për të dënuarit (vikend në shtëpi), ndërsa në momentin e kthimit në institucion, i dënuari i cili nuk i ka marr dy dozat e vaksinimit duhet të dëshmoi testin për COVID-19, në rast se testi rezulton pozitiv, i njëjti duhet të karantinohet në institucionin korrektues.
Po ashtu, sipas SHKK’së, do të lejohen edhe vizitat në lokalet e veçanta në institucionet korrektuese.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin publik rreth hapave në vazhdim”, thuhet nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
/GazetaExpress/