Ngërçi në Kuvend, kërkohet interpretim i ri nga Gjykata Kushtetuese

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të iniciojë rast në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me ngërçin e krijuar në Kuvend, thonë njohës politikë.

Pas dështimit për herë të gjashtë të konstituimit të Kuvendit të premten, rrugëdalja e vetme po shihet interpretimi i ri nga Kushtetuesja në lidhje me pamundësinë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, rrjedhimisht, edhe konstituimin e legjislaturës së nëntë, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

KosovaPress ka dërguar pyetje në Zyrën e Presidentit në lidhje me mundësitë që e para e vendit të adresojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo nuk kanë kthyer përgjigje.

Në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, të drejtën ekskluzive për të nominuar kandidatin për kryetar të Kuvendit e ka partia e parë në zgjedhje, rrjedhimisht Lëvizja Vetëvendosje. Mirëpo, në të njëjtin aktgjykim nuk është paraparë mundësia që i propozuari i partisë së parë të mos marrë 61 votat e nevojshme, si dhe nuk është përcaktuar se në çfarë afati kohor mund të konsumohet kjo e drejtë.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhje, në katër tentime ka dështuar të zgjedhë kryeparlamentaren, deputeten Albulena Haxhiu. Ajo, në seancat e 19, 23 dhe 25 prillit, mori vetëm 57 vota nga 61 sa janë të nevojshme për të marrë këtë post.

Kundër zgjedhjes së saj në organin më të lartë legjislativ janë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq tre deputetët e Nismës Socialdemokrate po abstenojnë.

Nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, deputetët e Listës Serbe, në tri seancat e fundit nuk morën pjesë fare në votim. Të njëjtën gjë e bëri edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.

Bazuar në këtë situatë, njohësi i Kushtetutës, profesori universitar Mazllum Baraliu, thotë për KosovaPress, se presidentja Vjosa Osmani duhet të iniciojë rastin në Gjykatën Kushtetuese nëse nuk ka zgjidhje të situatës në Kuvend.

Sipas tij, ngërçi në Kuvend nuk mund të zgjatet më tej, përderisa nuk ka asnjë vullnet nga partitë politike që, përmes një marrëveshjeje politike, të zgjidhen trupat e Kuvendit dhe të konstituohet legjislatura e nëntë.

“Është detyrë e kësaj klase politike, veçanërisht partive fituese që kanë fituar mandate në Kuvend, që të gjejnë një zgjidhje dhe të mos shkohet pafundësisht në këtë mënyrë. Gjithmonë ka zgjidhje kur ka vullnet, mirëkuptim dhe vetëdije e përgjegjësi të lartë politike dhe shtetërore nga subjektet politike… Nëse kjo nuk ndodh, atëherë presidentja e vendit ka tagër kushtetues, në bazë të Kushtetutës, që të iniciojë në Gjykatën Kushtetuese parashtresa të caktuara, dhe ajo duhet ta bënte këtë nëse vazhdon kjo odiseadë në mënyrë të pakufizuar”, thekson ai.

Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, thotë për KosovaPress, se palë e autorizuar për të dërguar rast në Gjykatën Kushtetuese, janë edhe deputetët e sapo betuar të Kuvendit, mirëpo sipas tij, problemi qëndron se aktualisht s’ka një vendim nga ana e legjislativit.

Cakolli ka shtuar se Kushtetuesja ka paracaktuar se nuk i përgjigjet pyetjeve se si duhet vepruar, por merret vetëm me raste konkrete.

“Edhe pse Gjykata Kushtetuese iu njeh të drejtën dhjetë, respektivisht tridhjetë deputetëve, që të sfidojnë raste në Gjykatën Kushtetuese, problemi me situatën aktuale është mungesa e një vendimi. Tashmë, në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese është përcaktuar se Gjykata nuk përgjigjet në pyetje sesi duhet vepruar, por gjykata merret vetëm me raste konkrete… Me dhënien e betimit, deputetët tashmë janë palë të autorizuara, por duhet të ketë dështim në vijimësi të ofrimit të propozimit, në mënyrë që rasti të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese”, deklaron Cakolli.

Në lidhje me pretendimet nga deputetët e koalicionit LVV, Guxo, Alternativa, se afatet ligjore dhe kushtetuese përcaktojnë se 30 ditë pas certifikimit të rezultateve duhet të konstituohet Kuvendi, njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, thotë se dispozita kushtetuese thekson se në afat prej 30 ditësh pas certifikimit të rezultateve duhet të fillojë seanca konstituive dhe jo të përfundojë.

“Dispozita përkatëse e Kushtetutës thotë se në afat prej 30 ditësh pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve duhet të fillojë seanca konstituive. Pra, fillimi dhe jo mbarimi”, thotë ai.

Në Lëvizjen Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, kanë theksuar se do të vazhdojnë të propozojnë për kryetare të Kuvendit, deputeten e zgjedhur, Albulena Haxhiu përkundër që në katër tentime ajo nuk mori 61 votat e nevojshme.

Megjithatë e kanë konsideruar të nevojshme arritjen e një marrëveshje politike për zgjedhjen e saj dhe të nënkryetarëve të tjerë të Kuvendit. Mirëpo, në bazë të deklaratave politike nuk janë shprehur të hapur për gjetjen e një kompromisi për zgjidhjen e kësaj krize politike.

Përpjekja e shtatë për konstituimin e Kuvendit do të bëhet të dielën e 27 prillit, kur edhe është thirr seanca e radhës prej orës 10:00./kosovapress

Read Previous

Dhjetëra të arrestuar në Stamboll për korrupsion

Read Next

Ukraina humbet deri në 305 trupa në 24 orë nga forcat ruse