Nis projekti për përzgjedhjen e mjekut familjar në tërë Kosovën

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka nisur projektin për përzgjedhjen e mjekut familjar në tërë territorin e Kosovës.

“Në përputhje me Planin e Veprimit për përcaktimin e kritereve për regjistrin e banorëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë njofton se sot, më 25.09.2024, fillon Projekti për Përzgjedhjen e Mjekut Familjar brenda zonës së banimit”, thuhet në komunikatën për media.

Nga MSH-ja, kanë ftuar qytetarët që përmes platformës E-Kosova të përzgjedhin mjekun familjar.

“Informacionet për mënyrën e aplikimit do të publikohen rregullisht në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë në Facebook dhe në të gjitha objektet e Kujdesit Parësor Shëndetësor në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Ky projekt, siç potencohet, fillimisht, do të zgjasë 100 ditë, ndërsa projekti i plotë pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2025.

“Ky plan ka për qëllim krijimin e një liste të saktë të banorëve dhe pacientëve për mjekët familjarë, duke u fokusuar në një organizim më efektiv të shërbimeve shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Krijimi i kësaj liste theksohet se do të lehtësojë identifikimin e pacientëve me nevoja specifike shëndetësore “duke u mundësuar mjekëve të ndjekin nga afër historikun e tyre, për parandalim dhe trajtim më cilësor të sëmundjeve”.

Procesi për përzgjedhjen e mjekut familjar kishte filluar në katër komuna të Kosovës në Lipjan, Istog, Prizren dhe Prishtinë dhe ishte paralajmëruar për të vazhduar pastaj në tërë vendin. /Albanianpost.com

Read Previous

Miratohet ligji, vendi i parë në Azinë Juglindore që njeh zyrtarisht martesat e të njëjtës gjini

Read Next

​Samiti i Kosovës për Paqe dhe Demokraci: Procesi i dialogut Kosovë-Serbi duhet të kthehet në binarë