Një delegacion i Kuvendit të Kosovës merr pjesë në Samitin e Demokracisë në Kopenhagë

Një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga anëtarë të Forumit për Transparencë Parlamentare, janë duke marrë pjesë në Samitin e Demokracisë që po mbahet në Kopenhagë të Danimarkës.

Personalitete të shumta botërore i janë adresuar këtij samiti, përfshirë ish-presidentin amerikan Barack Obama i cili bëri thirrje për një aktivizim më të madh të mbrojtje dhe afirmim të vlerave të demokracisë në botë.

Punimet e samitit filluan me adresimin virtual të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili pasqyroi situatën aktuale në Ukrainë dhe luftën e popullit ukrainas për liri dhe demokraci.

Ai, siç bën zakonshëm në videoadresime të tilla, theksoi nevojën e një uniteti gjithnjë e më të madh të botës demokratike për ta luftuar pushtetin autoritar në Rusi.

Në këtë frymë ishte edhe fjalimi i presidentes së Parlamentit Evropian Roberta Metsola, i kryeministres së Lituanisë Ingrida Simonute, si dhe të aktivistëve politikë nga vende dhe kontinente të ndryshme.

Dita e dytë e samitit u moderua nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, njëherësh ish-kryeministër i Danimarkës, Anders Fogh Rasmussen.

Me diskutimet e tyre në samit kontribuuan edhe presidentja e Tajvanit Tsai Ing-wen, zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s Mircea Geoana, senatori amerikan Mark Warner dhe folës e panelistë të tjerë të shumtë.

Samiti u organizua nga Aleanca për Demokraci dhe Instituti Demokratik Kombëtar (NDI), ndërsa në punimet e tij morën pjesë rreth 500 përfaqësues të parlamenteve të shteteve të ndryshme të botës.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës përbëhet nga anëtarë të Forumit për Transparencë: Blerta Deliu-Kodra, Driton Selmanaj, Albana Bytyqi, Fridon Lala, Musli Krasniqi, si dhe Agnesa Haxhiu e Albana Rexha nga shoqëria civile, së bashku me përfaqësues të NDI-së nga Zyra në Prishtinë.

Ky delegacion, i cili në Danimarkë po qëndron me ftesë dhe mbështetje të NDI-së, të shtunën dhe të dielën do të zhvillojë takime me delegacione të parlamenteve të tjera dhe do të marrë pjesë në aktivitete të përbashkëta me tematikë transparencën parlamentare.

Read Previous

Zelensky: Përfundimi i luftës në Ukrainë është vendimtar për të gjithë botën

Read Next

Përplaset autobusi i kombëtares bullgare në Gjeorgji, mesfushori Nedelev në spital