Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademit, një muaj arrest shtëpiak për shkak të veprave penale “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.
Në njoftimin për media të Themelores thuhet se “gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin A.A e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e Arrestit Shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”.
“Në rast të mosrespektimit të kësaj mase, të pandehurit A.A do t’i zëvendësohet kjo masë me masën e paraburgimit”, theksohet në njoftim.
Gjyqtari i Procedurës Paraprake, pas dëgjimit të prokurorit të shtetit, të pandehurit dhe mbrojtësit të tij, me faktin nëse ekzistojnë arsyet për caktim e masës së arrestit shtëpiak në këtë fazë të procedurës penale për caktimin e masës së Arrestit Shtëpiak, konstaton se “në bazë të provave të cilat gjenden ne shkresat e lëndës plotësohet kushti i përgjithshëm ligjor nga neni 181 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të KPP-së, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, po ashtu gjykata konstaton se përmbushet edhe kushti i veçantë nga neni 181 paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 lidhur me nenin 184 par. 2, pika 1.2.2 dhe pika 1.2.3 të KPP-së”.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
/Klankosova.tv/