Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit se ilegalisht kishte shkuar në Siri për t’iu bashkuar ISIS-it

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit H.S, nën dyshimin se i njëjti kishte shkuar ilegalisht në Siri, me qëllim që t’iu bashkohet organizatës terroriste ISIS.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo gjykatë, ku thuhet se i njëjti dyshohet për veprën penale “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të të Republikës së Kosovës” nga neni 3, paragrafi 3 të Ligjit nr.05/L-002, për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.S. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të pandehurit H.S. paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 pika 1.2.1, dhe paragrafi 1 nënparagrafi 2.2, pika 1.2.3 të KPPRK-së”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se i pandehuri H.S dyshohet se me vullnet dhe vetëdije të plotë më 23 nëntor 2015 është nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtin dhe ilegalisht kishte hyrë në shtetin e Sirisë në mënyrë që t’i bashkohet organizatës terroriste ISIS.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Studiuesit zbulojnë një pemë të rrallë 5,000-vjeçare

Read Next

96 ditë luftë në Ukrainë