Delegatë nga e gjithë bota do të udhëtojnë në Norvegji të mërkurën për të gjetur një zgjidhje me dy shtete për konfliktin Izrael-Palestinë, thotë Ministria e Jashtme e Norvegjisë.
“Ndërsa ne duhet të vazhdojmë të punojmë për t’i dhënë fund luftës [në Gaza], ne duhet të punojmë gjithashtu për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit që garanton vetëvendosje, siguri dhe drejtësi si për palestinezët ashtu edhe për izraelitët”, tha ministri i Jashtëm Espen Barth Eide në një deklaratë.
Kryeministri palestinez Mohammad Mustafa, kreu i UNRWA Philippe Lazzarini dhe i dërguari i OKB-së në Lindjen e Mesme Tor Wennesland janë midis atyre që pritet të marrin pjesë.
Ka të ngjarë të marrin pjesë edhe përfaqësues të më shumë se 80 vendeve dhe organizatave, por asnjë delegacion zyrtar izraelit nuk është njoftuar. Izraeli ka dënuar disa vende – përfshirë Norvegjinë – që kanë njohur shtetin palestinez vitin e kaluar.
Ky do të jetë takimi i tretë i Aleancës Globale për Zbatimin e Zgjidhjes me Dy shtete, krijimi i së cilës u njoftua në shtator në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Dy takimet e para të aleancës globale u mbajtën në Arabinë Saudite në tetor dhe në Bruksel në nëntor të vitit të kaluar.