Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin. Përdorimi “problematik” i mediave sociale është në rritje midis të rinjve evropianë.
Madje, ata kanë më shumë gjasa të zhvillojnë një varësi nga lojërat, paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) të enjten.
“Ne kemi nevojë për veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm për të ndihmuar adoleshentët të ndalojnë përdorimin potencialisht të dëmshëm të mediave sociale, i cili është treguar se çon në depresion, ngacmim, ankth dhe performancë të dobët akademike”, pohoi në një deklaratë drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
Lajmi u bë i ditur nga gazeta franceze “Le Figaro”.
Në vitin 2022, 11 për qind e adoleshentëve (13 për qind e vajzave dhe 9 për qind e djemve) shfaqën shenja të përdorimit problematik të rrjeteve sociale, ndërkohë që ishin vetëm 7 për qind katër vite më parë, sipas të dhënave të marra nga 280 mijë të rinj të moshës 11, 13 vjeç, dhe 15 nga 44 vende në Evropë, Azinë Qendrore dhe Kanada.
Me fjalë të tjera, ata paraqesin simptoma të ngjashme me ato të varësisë: pamundësi për të kontrolluar përdorimin e tepruar, ndjenjën e tërheqjes dhe braktisjes së aktiviteteve të tjera në favor të mediave sociale dhe pasoja negative të përdorimit të tepruar në jetën e përditshme.
Ky fenomen është më i përhapur tek adoleshentët rumunë të moshës 13 dhe 15 vjeç, duke prekur 28 për qind të tyre dhe më pak tek adoleshentët holandezë (3 për qind).
Një burim tjetër shqetësimi është se një e treta e adoleshentëve luajnë në internet çdo ditë dhe 22 për qind e tyre për të paktën katër orë, vuri në dukje OBSH-ja, e cila specifikon se në të gjithë grupin, 12 për qind e adoleshentëve kanë sjellje problematike gjatë lojës (16 për qind e djemve dhe 7 për qind e vajzave).
“Është thelbësore që ne të marrim masa për të mbrojtur të rinjtë në mënyrë që ata të mund të lundrojnë në mënyrë të sigurt në peizazhin dixhital dhe të jenë në gjendje të bëjnë zgjedhje të informuara për aktivitetet e tyre në internet, duke maksimizuar përfitimet duke minimizuar rreziqet për mirëqenien e tyre mendore dhe sociale”, shtoi një zyrtare e OBSH-së në Evropë, Natasha Azzopardi-Muscat, cituar në një deklaratë për shtyp.
Agjencia e OKB-së, megjithatë, thekson përfitimet e përdorimit të përgjegjshëm të mediave sociale, duke përfshirë lidhjen midis atyre që ndajnë të njëjtat pasione dhe interesa.
36 për qind e të rinjve dhe 44 për qind e vajzave 15-vjeçare raportojnë se janë vazhdimisht në kontakt dixhital me miqtë e tyre.
Të rinjtë “duhet të dominojnë rrjetet sociale, jo të lejojnë që rrjetet sociale t’i dominojnë ato”, këmbënguli Azzopardi-Muscat.
Kështu, OBSH-ja rekomandon që autoritetet kombëtare të përmirësojnë mjediset dixhitale dhe masat arsimore për t’u mundësuar të rinjve t’i qasen në mënyrë të sigurt botës dixhitale. /Albanianpost.com