Osmani kundër idesë për ridefinim të kufijve, thotë se Sllovenia nuk duhet të identifikohet me dokumentin ‘non-paper’

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka thënë se dokumenti non-paper që fliste për ridefinim të kufijve në Ballkan nuk duhet të lidhet me qëndrimin e shtetit të Sllovenisë dhe se është kundër atyre pretendimeve, shkruan Gazeta Sinjali.

“Ne nuk duhet të bijmë në kurthin e lidhjes së autorësisë së atij dokumenti me Slloveninë për shkak se një gjë e tillë është demantuar dhe refuzuar nga Sllovenia mike. Ajo është mbështetëse e  perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe nuk besoj se duhet ta lidhim atë dokument me Slloveninë”, tha Osmani në një konferencë për media pas takimit me homolegen e tij, ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla.

Osmani pas takimit tha se riafirmuan marrëdhëniet “jashtëzakonisht të mira bilaterale” mes vendeve. Osmani tha se Maqedonia e Veriut përkrah plotësisht perspektivën evropiane të Kosovës

Po ashtu temë diskutimi ishin edhe autostradë nga pika kufitare e Bllacës në Qafë Thanë, transmeton Gazeta Sinjali.

“Vlerësoj se është nder i veçantë por edhe përgjegjësi në këto kohëera të jashtëzakonshme shëndetësore, ekonomike apo politike në tërë botën që të udhëhiqen diplomacine, veçanërisht në një rajon ku duhet të garantohet stabiliteti e prosperiteti i vendeve. Riafirmuam raportet jashtëzkaonisht pozitive bilaterale ndërmjet vendeve të tona që kanë shumë pika të përbashkëta që krijojnë miqësi të thellë dhe të përhershme. Ky është një shembull i mirë për rajonin që po ballafaqohet ende me sfida të shumta. Biseduam për ekonomi, mundësitë për lidhje infrastrukturore, qasja në gazin natyror, lehtësimi i transportit të mallrave e shërbimeve etj”.

“Tregova për vijimin e punëve të autostradës nga pika kufitare deri në Shkup, por edhe projektin tonë për të lidhur autostradën nga pika kufitare në Bllacë deri në Qafë Thanë që përfundon korridorin tetë ashtu siç edhe e kërkojnë qytetarët tanë”.

“Biseduam edhe për çështjet me karakter ndërkombëtar. Maqedonia përkrah plotësisht perspektivën euroatlantike të Kosovës. Shpreha kënaqësinë që edhe pjesëtarët e armatës maqedonase nga ky vit janë pjesëmarrës të KFOR-it. Ambicia e jonë është integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.  Perspektiva evropiane sjell miqësi e solidaritet çka nënkupton stabilitet afatgjatë”, shtoi ai. /Gazeta Sinjali/

Read Previous

Ndërron jetë kryeinfermierja e Klinikës Infektive në QKUK

Read Next

Sa kanë shpirt filantrop të rinjtë gjakovarë?