Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në manifestimin qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit.
Osmani bëri thirrje për liberalizim të vizave, e integrim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Orientimin do ta kemi përpara. Sot Evropa rilind në një Kosovë të integruar në familjen e BE-së, andaj liberalizimi duhet të ndodh sa më parë e Kosova të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike aty ku e ka vendin”, tha Osmani.
Ajo shtoi se 23 vjet më parë ky kompozicion i trenit këtu afër sikurse edhe shumë të tjerë, ishin mjeti me të cilin Kosova u zbraz pothuajse plotësisht nga banorët e saj.
“Afër 1 milion shqiptar të Kosovës gjatë marsit ‘99 e tutje dhunshëm u dëbuan nga regjimi gjenocidal serb në shtetet fqinje e deri te shtet e Evropës. Eksodi i përmasave biblike kishte vetëm një qëllim nga ana e Serbisë e atëhershme, shfarosjen e popullit shqiptar dhe spastrimin etnik të Kosovës”, tha Osmani.
Presidentja shtoi se sot jemi të nderuar që në mesin tonë kemi një grua të fortë e cila më 1999 përjetoi një nga ditët më të rënda të saj.
/Telegrafi/