Deputeti i LVV-së, Faton Peci, ka akuzuar PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se e kanë demonstruar “hipokrizinë dhe pafytyrësinë e tyre” duke mohuar, sipas tij, edhe veten e tyre.
Kjo, sipas tij ka ndodhur kur nuk është votuar raporti për verifikimin e mandateve në dy seancat e kaluara.
“Tash jemi në një momentum të ri që kemi bërë përpjekjen e parë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Duhet të bëhet e qartë se e drejta për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit i takon ekskluzivisht dhe vetëm grupit më të madh parlamentar. I bëjmë thirrje edhe një herë opozitës që të mos e vonojnë vendin për 48 orë tjera, ose 4 ditë të tjera, ose me muaj të tërë, sepse kryetari i Kuvendit i takon vetëm LVV-së dhe në funksion të kësaj ne supozuam dhe menduam se iu ka kaluar xhelozia dhe smira për humbjen në zgjedhje, por sido që të jetë është në dorën e tyre që të aprovojnë propozimin e LVV-së për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. S’ka rrugë tjetër”, ka thënë Peci.
Ish-ministri i Bujqësisë e pranoi se nuk i kanë numrat për qeveri, teksa tha se negociatat po vazhdojnë.
“Ne do t’i kemi numrat për qeveri. Negociatat vazhdojnë. Për çështjen e kryetarit të Kuvendit, përderisa dihet që është e drejtë ekskluzive e LVV-së, nuk ka nevojë të futet si pjesë e kalkulimeve për themelimin e qeverisë së Kosovës”, deklaroi Peci. /Klankosova.tv/