Policia e Kosovës, këtë të premte, ka përfunduar aksionin ne pesë lokacione në tri komunat veriore të Kosovës.
Bastisjet lidhen me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, të dielën e 24 shtatorit.
“Ka përfunduar bastisja në pesë lokacionet. Për detajet tjera, do të dalim më vonë me komunikatë”, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut.
Aksioni i Policisë së Kosovës është zhvilluar kryesisht në pronat të cilat janë evidentuar si prona të nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiç, i cili sipas autoriteteve kosovare ishte pjesë e grupit terrorist i financuar nga Serbia i cili fut ilegalisht në Kosovë dhe sulmoi Policinë e Kosovës duke lënë të vrarë një pjesëtarë të saj.
Albanian Post nga burimet kishte mësuar se shënjestër e këtyre kontrolleve ishte vila e Radojiçiç-it i cili gjendet në Ujman në pjesën veriore të vendit.
Në anën tjetër mediat lokale serbe në Kosovë raportuan se pjesëtarët policorë, të premten, kanë qenë edhe te restoranti Gray, i cili besohet se është në pronësi të Ema Radojiçiç-it, bashkëshortes së Radojiçiç-it.
Sipas raportimeve të po këtyre mediave, në garazh të këtij lokali, janë konfiskuar disa vetura, dy prej të cilave me targa të Beogradi dhe një pa targa fare.
Se aksioni i Policisë së Kosovës u organizuar kryesisht në pronat të cilat janë të evidentuara si të Radojiçiç-it, e konfirmoi edhe prokurori special, Naim Abazi.
Sipas tij aksioni në fjalë ishte bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale e me urdhër të gjykatës kompetente.
I njëjti shtoi se janë duke i evidentuar pronat të cilat dyshohen se janë në emër të Radojiçiç-it dhe personave të tretë ku ai i ka transferuar ato prona.
“Ne jemi ende tu i evidentuar pronat të cilat dyshohet se kanë qenë në emër të tij apo personave të tretë ku ai ka transferuar këto prona, por për rezultatin e tyre më saktësisht do t’ju njoftojmë në një njoftim të radhës pasi të përfundon në tërësi operacioni”, deklaroi ai.
Lajmin për bastisjen në Veri fillimisht e kishte kumtuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.
“Policia e Kosovës është duke zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente për kontrolle, në pesë lokacione në tri komunat në Veri të Kosovës. Këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ndër të tjera kishte njoftuar se kontrollet është duke i kryer në koordinim me misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX dhe misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Me këtë rast Policia e Kosovës njofton qytetarët se nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësim. Këto urdhër kontrolle, janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in”, thuhet në njoftim. /Albanianpost.com