Ka përfunduar mesha e lamtumirës për Papa Françeskun, e cila filloi në orën 10:00.
Arkivoli i Papa Françeskut tani do të transportohet përtej lumit Tiber në Bazilikën e Romës “Santa Maria Maggiore”, ku këmbanat po bien gjithashtu përpara mbërritjes së trupit të Papës.
Shërbesa përfundoi me Kantikun e Virgjëreshës së Bekuar, të njohur edhe si Magnificat.
“Shpirti im madhëron Zotin dhe shpirti im gëzohet me Perëndinë, Shpëtimtarin tim”, këndonte kori.
Më shumë se 250 mijë njerëz u mblodhën në Sheshin e Shën Pjetrit për funeralin e Papa Françeskut, tha Vatikani të shtunën.
“Autoriteti kompetent na informon se, ndërsa funerali i Papa Françeskut ka mbaruar, më shumë se 250 mijë njerëz janë të pranishëm”, tha Vatikani në një deklaratë të shkurtër të shtunën në fund të ceremonisë.
Shërbimi i varrimit ka nisur me rite hyrëse, përfshirë një antifonë dhe një psalm të kënduar nga kori i Kapelës Sistine, kori personal i Papës, i përbërë nga 20 burra dhe 30 djem.
Teksti i këngës dhe lutjes ishte në latinisht, traditë e zakonshme për shërbimet kishtare të Vatikanit, dhe u këndua nga kori dhe bashkësia me fjalët “Requiem aeternam dona ei, Domine, et lux perpetua luceat ei” (Prehje të përjetshme dhuroji atij, o Zot, dhe le të ndriçojë mbi të drita e përjetshme).
Të pranishëm në ceremoni ishin krerë të lartë shtetërorë, liderë fetarë dhe besimtarë nga e gjithë bota, të cilët kanë ardhur për të nderuar një figurë të rëndësishme shpirtërore dhe historike.
Mbi arkivolin e Papës Françesku ishte vendosur Ungjilli i hapur.“Shpërthimi i dashurisë që kemi dëshmuar ditët e fundit pas kalimit të tij nga kjo botë në përjetësi na tregon sa shumë ndikoi papati i thellë i Papës Françesku në mendjet dhe zemrat e njerëzve”, tha kardinali Giovanni Battista Re i cili po drejton ceremoninë mortore.
Dhjetëra udhëheqës dhe personalitete – përfshirë Donald Trump, Volodymyr Zelensky dhe Princ William – iu bashkuan rreth 250 mijë të pranishmëve në zi, me 50,000 brenda vetë Sheshit të Shën Pjetrit.
Trump dhe Zelensky u takuan brenda Bazilikës së Shën Pjetrit para funeralit, me ukrainasit që publikuan një fotografi të bisedës.
Shtëpia e Bardhë e quajti bisedën 15-minutëshe “shumë produktive” – udhëheqësit do të zhvillojnë një takim tjetër pas funeralit. /Albanianpost.com