Pas disa orë diskutimesh në Romë, përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe të Iranit janë pajtuar që gjatë javës së ardhshme të mbajnë rund tjetër bisedimesh rreth frenimit të programit bërthamor të Republikës Islamike. Dy palët e përfshira në bisedime kanë konfirmuar vazhdimin e procesit derisa diskutimet e së shtunës i kanë kualifikuar konstruktive
Pas katër orë negociatash në Romë, delegatë të Shteteve të Bashkuara dhe të Iranit janë pajtuar të shtunën të zhvillojnë një tjetër rund bisedimesh mbi programin bërthamor të Teheranit javën e ardhshme.
Për çështjen, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi dhe emisari presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, negociuan në mënyrë indirekte, nëpërmjet një zyrtari nga Omani.
E pas përfundimit të bisedimeve, Aragchi ka njoftuar se rundi tjetër do të mbahet të mërkurën e javës së ardhshme.
“Sot patëm katër orë negociata. Ishte takim i mirë, sikur ai i mëparshmi. Mund të them se negociatat po ecin përpara. Kësaj radhe, arritëm të kuptojmë më mirë disa parime dhe synime. Në fund u pajtuam që bisedimet të vazhdojnë dhe të hyjmë në fazën tjetër ku do të fillojnë takimet e ekspertëve. Duke filluar nga kjo e mërkurë, takimet teknike në nivel ekspertësh do të fillojnë në Oman”, ka njoftuar Aragchi.
Pas këtyre takimeve në nivel ekspertësh, të shtunën e ardhshme do të mblidhet niveli më i lartë për të rishikuar punën e tyre, ka bërë të ditur Aragchi.
Një zyrtar amerikan, që foli në kushte anonimiteti, ka konfirmuar po ashtu vazhdimin e bisedimeve tek nuk ka shpalosur hollësi të tjera rreth diskutimeve prapa dyerve të mbyllura.
E para takimit, ministri i Jashtëm italian, Anotiono Tajani, ka shkruar në rrjetin social X se ka inkurajuar ministrin iranian Arachqi që ta ndjekë rrugën e negociatave kundër armëve bërthamore. Ai ka thënë se Qeveria në Romë është mbështetëse e opsionit të gjetjes së zgjidhjes së përbashkët për çështjen.
Teherani zyrtar pati njoftuar se pritjet që të arrihet një marrëveshje e shpejtë nuk duhet të jenë të mëdha. Autoriteti më i lartë i Iranit, udhëheqësi suprem, Ajetullahu Ali Khamenei, pati thënë këtë javë se nuk ishte as tepër optimist dhe as pesimist sa u përket këtyre negociatave.
E nga ana tjetër, presidenti amerikan, Donald Trump, ka theksuar vazhdimisht se do që Irani t’i ndalojë armët bërthamore dhe ka paralajmëruar që nëse këtë nuk e bën, atëherë ai do të ndërmarrë veprime ushtarake.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore e kanë akuzuar prej kohësh Iranin se po përpiqet të ndërtojë armë bërthamore. Teherani i ka mohuar vazhdimisht këto akuza, duke këmbëngulur se përpjekjet e tij janë për qëllime civile, si prodhimi i energjisë elektrike.
Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar, presidenti Donald Trump, që ishte tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, ka nisur prapë fushatën e “presionit maksimal” të sanksioneve ndaj Iranit. Muajin e kaluar, ai i pati dërguar një letër liderit suprem të Iranit duke i bërë thirrje për rifillimin e bisedimeve, teksa ka paralajmëruar për veprime ushtarake nëse diplomacia dështon./koha.net/