Afër 800 mijë euro është kostoja e renovimeve të Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, investim i përbashkët ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Të martën, këto hapësira u përuruan nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, derisa Kurti është shprehur se Klinika Emergjente i është nënshtruar një renovimi të tërësishëm, duke shtuar se tanimë “kushtet e punës janë në anën e mjekëve”.
“Më herët, përveç pacientëve, mjekët janë përballur edhe me kushtet e punës dhe vështirësitë e mëdha. Tani kushtet e punës i kanë në anën e tyre. Në sallën e operimit, tani ekzistojnë edhe kamerat, që domethënë operimi mund te përcillet edhe nga jashtë ne kohë reale. Rreth 800 mijë euro është investimi për këtë rinovim. Punëkryesi është vendor, me pronarë, inxhinierë, punëtorë të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Klinika Emergjente e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës vazhdon ta ketë barrën kryesore në ofrimin e shërbimeve shëndetësore emergjente për pacientët e mbarë Kosovës./koha.net/