Me ndeshjen Sigal Prishtina – Vëllaznimi fillon play-off në Superligën e Kosovës në basketboll. Kjo ndeshje zhvillohet të mërkurën prej orës 19:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ndërsa i takon fazës çerekfinale. Në çerekfinalen tjetër përballen Golden Eagle Ylli dhe Peja, që ndeshjen e parë e kanë të enjten prej orës 19:00 në Suharekë.
Këtë edicion, play-off ofron më shumë ndeshje se në edicionet e deritashme. Çerekfinalja luhet deri në dy fitore. Pra mund të luhen tri ndeshje. Gjysmëfinalja luhet deri në tri fitore. Pra maksimalisht pesë ndeshje. Sipas propozicioneve të garave, finalja e plejofit luhet deri në katër fitore. Pra maksimalisht mund të jenë shtatë ndeshje. Rrjedhimisht, nëse një skuadër çerekfinaliste shkon deri në finale dhe seritë shkojnë deri në ndeshjen vendimtare, atëherë kampioni ose finalisti, apo të dy ekipet duhet të luajnë edhe plot 15 ndeshje.
Më pak ndeshje do të kenë Bashkimi dhe Trepça. Bashkimi e përfundoi stinorin e rregullt në vendin e parë. Në 28 xhiro mblodhi 48 pikë. I kishte 20 fitore e tetë humbje. Trepça përfundoi e dyta me 47 pikë. Kishte 19 fitore e nëntë humbje.
Sipas propozicioneve, i pari dhe i dyti pas stinorit të rregullt, në plejof startojnë direkt prej gjysmëfinales.
Prishtina ishte e treta dhe luan me Vëllaznimin e vendit të gjashtë në çerekfinale. Ylli i vendit të katërt luan me Pejën e vendit të pestë.
Në gjysmëfinale, Bashkimi i Prizrenit luan me fituesin e çerekfinales mes Yllit e Pejës. Ndërkohë Trepça në gjysmëfinalen tjetër luan me fituesin e çerekfinales Prishtina – Vëllaznimi.
Ka edhe shumë e shumë ndeshje para se të mësohet kampioni i Kosovës në basketboll për edicionin 2024/2025.
Prishtina e Vëllaznimi u përballën të dielën në Gjakovë, në kuadër të xhiros së fundit. Fitore me rezultat të thellë, 94:73 shënoi skuadra prishtinase. Prishtina do ta ketë edhe përparësinë e terrenit vendas në ndeshjen e tretë eventuale. Megjithatë, Vëllaznimi më 27 mars kishte fituar në Prishtinë. Madje në finale të Ligës Unike. Gjakovarët e fituan trofeun e parë pas 29 vjetësh, ndërsa Prishtina e kërkoi me ngulm atë trofe.
Ajo humbje nga Vëllaznimi dhe një tjetër pasuese nga Peja, bënë që Prishtina të ndahet me trajnerin turk Murat Bilge. Fillimisht u tha se Albert Sylejmani do ta drejtojë skuadrën, por të shtunën Prishtina njoftoi se ka angazhuar trajnerin me përvojë nga Spanja, Paco Olmos. Ai vjen së bashku me ndihmësin Facundo Murias.
Vëllaznimi ka gjetur formën më të mirë me kroatin Jeronimo Sharin. Me triumf në Ligën Unike, gjakovarët në një mënyrë kanë realizuar synimin e madh për këtë edicion. Por kjo nuk do të thotë që nuk do të kërkojnë të shkojnë sa më larg në plejof. Gjakovarët kanë telashe me lëndimin e disa prej lojtarëve kryesorë, por lojtarë të lënduar kishte edhe Prishtina.
Formën më të mirë para plejofit e kishte Ylli.
“Para se të nisnim serinë e fitoreve, nuk e kishim të sigurt as vendin e gjashtë. Bora ka bërë presion për të përfunduar e gjashta dhe që të luajë në play-off”, ka thënë basketbollisti i Yllit të Suharekës, Jan Palokaj.
Ylli jo vetëm që u kualifikua në plejof, por starton nga vendi i katërt. Pra ka lënë prapa Pejën dhe Vëllaznimin. Natyrisht edhe Borën e Prizrenin.
Humbjen e fundit suharekasit e kishin pikërisht nga Bora, në kuadër të xhiros së 22-të, më 2 mars. Prej atëherë e mposhtën Trepçën, Prishtinën, Pejën, Bashkimin, Vëllaznimin dhe Proton Cable Prizrenin. Pra Ylli i ka mposhtur të gjitha skuadrat tjera të plejofit, ndonëse u sfidua seriozisht nga lëndimet. Kjo seri bën që suharekasit të jenë në pozitë të mirë për plejof, kurse në çerekfinale do ta kenë përparësinë e terrenit në ndeshjen vendimtare.
Peja, si edhe skuadrat tjera, kishte lëndime, ndërsa shfaqi formë të luhatshme. Të dielën luajti ndeshje të fortë me Bashkimin në Prizren, por humbi 75:72. Në xhiron e parafundit humbi nga Trepça në “Karagaçi”. Peja megjithatë ka skuadër me përvojë dhe do të kërkojë të shkojë deri në fund në plejof.
“Jemi gati për plejof”, thonë në skuadrën pejane./Koha.net