Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti as të shtunën nuk bëri të ditur nëse i ka siguruar numrat për formimin e qeverisë së re duke mos iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për këtë çështje. Ndër njohës të çështjeve politike dhe kushtetuese ndërkaq ka mendime të ndryshme nëse më 15 prill në ditën e seancës konstituive të kuvendit do të ketë edhe formim të Qeverisë.
Konstiutimi i Kuvendit si dhe formimi i Qeverise re brenda një dite, më 15 prill, është synim i partisë së parë të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, por kjo çështje vazhdon të jetë në pikëpyetje pasi që deri më tani nuk dihet nëse kjo parti ka votat e nevojshme. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti as sot nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve nëse i ka siguruar votat për formimit të qeverisë.
Drejtori i Institutit për Lidership Civil, politologu, Argjend Zejnaj thotë se Vetëvendosje është në presion të kohës dhe të numrave duke shprehur skepticizëm se më 15 prill do të formohet edhe Qeveria.
“VV është në presion të kohës dhe numrave dhe i duhet me doemos një alet nga tabori shqiptar i partive të mëdha përndryshe ose do ta ketë një qeveri me një shumicë shumë solide ose në të kundërtën nuk ka mbërri me i përmbushë objektivat… dhe mund ta kenë mangu ndonjë vota nga pjesa e komunitete ditën e seancës ku pritet te konstituohet kryetari kryesia nuk jam shumë i sigurte nëse do të përsëritet 2021 kur janë zgjedhur edhe kryesia e kuvendit edhe qeveria. kësaj radhe do kemi befasi”, tha Zejnaj për rtv21.
Ndryshe mendon profesori universitar i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, Ai mendon se 15 prill mund të ketë edhe konstituim të Kuvendit edhe votim të qeverisë së re, bazuar siç thotë në të drejtën e deputetëve për të votuar pavarësisht qëndrimeve të partive që i përkasin.
“Unë shpresoj së po, dua të besoj dhe mbështetëm në vetëdijen e nevojshme të domosdoshme për rëndësinë e shtetit dhe rëndësisë së votës së deputetit. Deputetët do të duhej ta votonin këtë qeveri pavarësisht çka i thotë partia është në interes të shtetit meqë populli ja ka dhënë shumicën VV-së …ta provojnë, ta votojnë dhe deputetë të tjerë kushtetua e garanton mëvetësinë e votave të çdo deputeti pavarësisht çka thotë partia”, tha ai.
Kryetari i Vetëvendosje, Kurti deri më tani zyrtarisht ka zhvilluar takime konsultative rreth formimit të qeverisë vetëm me pakicat jo serbe. Disa nga to kanë konfirmuar mbështetjen ndaj tij e disa të tjera ende nuk kanë një vendim. Ndërsa nga partitë opozitare deri më tani Kurti i ka dërguar ftesë për takim konsultativ vetëm LDK-së por e njëjta e ka refuzuar atë./RTV21/21Media