Disa rrugë të qytetit të Gjakovës aktualisht janë në gjendje jo shumë të mirë. Nga drejtoria për Shërbime Publike në Gjakovë na njoftojnë se arsye për këtë gjendje janë reshjet, punimet në disa rrugë, punimet në objekte të ndryshme me ç’rast frekuentojnë makineri të rënda, e të tjera. Mirëpo, ky dikaster ka punuar në drejtim të sanimit të këtij problemi, thekson drejtori i shërbimeve publike, Shkumbin Kastrati.
Problematikë tjetër që haset shpesh është edhe dëmtimi apo në raste tjera vjedhja e kapakëve të pusetave, për të cilat Kastrati thotë se në vazhdimësi punohet në zëvendësimin e tyre, megjithëse një procedurë e tillë nuk është dhe aq e thjeshtë për faktin se kapakët e pusetave kanë dimensione të ndryshme.
Kastrati potencon se të premten, ose më së largu të hënën e ardhshme, do të fillojë riparimi i rrugëve brenda qytetit si dhe në të njejtën kohë do të intervenohet edhe në fshatëra, varësisht nga nevoja.