Bashkim Mustafa, profesor i ekonomisë, duke diskutuar lidhur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15%, ka kritikuar mënyrën dhe arsyetimin e dhënë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Mustafa tha se rritja e çmimit të energjisë nuk është thjesht një çështje teknike, por ka pasoja të mëdha për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Sipas tij, raporti i ZRrE-së është për keqardhje, jo vetëm për përmbajtjen por edhe për mungesën e një metodologjie të mirëfilltë dhe arsyetimet e papërgjegjshme që janë dhënë për këtë vendim.
“Nuk kemi të bëjmë vetëm me një rritje prej 15% për të evituar kolapsin energjetik, por me një rritje zinxhirore që ndikon drejtpërdrejt në shportën bazë të konsumit. Rritja e çmimit të energjisë godet ekonominë familjare, zvogëlon fuqinë blerëse dhe rrit çmimet e të gjitha mallrave dhe shërbimeve që kanë si bazë energjinë elektrike – përfshirë produktet ushqimore”, u shpreh Mustafa
Ai ka hedhur poshtë edhe disa nga arsyetimet që ZRrE i ka paraqitur në raport, siç është rritja e pagës minimale për punëtorët e KEDS-it.
“Nëse flasim për punëtorët e KEDS-it që janë diku 100 apo 200 persona, shumica në sigurim fizik, ndikimi i tyre financiar nuk mund të jetë më shumë se disa qindra mijëra euro në vit. Kjo nuk është arsye për të rritur çmimin për gjithë qytetarët”, tha ai.
Po ashtu, Mustafa kritikoi dështimet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në realizimin e prodhimit dhe mungesën e investimeve në sektorin e energjisë. Tha se për këtë gjendje nuk ka dhënë askush llogari, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë.
“Kemi devalvim total të kapaciteteve të termoelektranave. Në menaxhment dhe borde janë vendosur persona jokompetent dhe joprofesional. Kjo është e patolerueshme. Ministrja i ik përgjegjësisë. Askush nuk jep llogari për këto dështime”, shtoi ai.
Profesori Mustafa apeloi që qytetarët të ngritin zërin dhe të kërkojnë llogaridhënie nga institucionet, duke thënë se vetëm përmes presionit qytetar mund të parandalohet padrejtësia që po u bëhet qytetarëve./BetimipërDrejtësi