Një zyrtar i lartë palestinez i njohur me negociatat e armëpushimit Izrael-Hamas i tha BBC-së se ndërmjetësit e Katarit dhe Egjiptit kanë propozuar një formulë të re për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Sipas zyrtarit, ai parashikon një armëpushim që zgjat nga pesë deri në shtatë vjet, lirimin e të gjithë pengjeve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite, një fund formal të luftës dhe një tërheqje të plotë izraelite nga Gaza.
Kështu, një delegacion i lartë i Hamasit do të mbërrinte në Kajro për konsultime.
Armëpushimi i fundit u “rrëzua” një muaj më parë kur Izraeli rifilloi bombardimin e Gazës, me të dyja palët që fajësuan njëra-tjetrën për dështimin për të vazhduar.
Izraeli nuk ka komentuar mbi planin e ndërmjetësve.
Ndërkohë, 22 palestinezë janë vrarë në një seri sulmesh ajrore izraelite në të gjithë Rripin e Gazës që nga mbrëmja e së hënës, tha një zyrtar mjekësor në ministrinë e shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi për BBC.
Zyrtari tha se ata u vranë në Khan Younis, Jabalia, Beit Lahia dhe qytetin e Gazës dhe se 45 persona të tjerë u plagosën.
Banorët vendas dhe dëshmitarët okularë i përshkruan sulmet ajrore si “jashtëzakonisht intensive”.
Tanke janë parë gjithashtu duke lëvizur në pjesën jugore të qytetit Rafah në jug të Gazës.
Ndërsa Izraeli vazhdon me ofensivën e tij, bisedimet do të zhvillohen në Kajro me Hamasin, të përfaqësuar në një nivel të lartë nga kreu i këshillit politik të tij, Mohammed Darwish, dhe negociatori kryesor Khalil al-Hayya.
Takimi vjen disa ditë pasi lëvizja hodhi poshtë propozimin e fundit të Izraelit, i cili përfshinte një kërkesë që Hamas të çarmatosej në këmbim të një armëpushimi gjashtëjavor.
Të shtunën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se nuk do t’i jepte fund luftës përpara se Hamasi të shkatërrohej dhe të gjithë pengjet të ktheheshin.
Në anën tjetër, Hamasi i ka kërkuar Izraelit të angazhohet për t’i dhënë fund luftës përpara se të lirohen pengjet. /Telegrafi/