Emri i saj u hodh në votim katër herë, por Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në asnjërin rast nuk i mori 61 votat e nevojshme për t’u bërë kryeparlamentare e Kosovës.
Haxhiu konsiderohet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si figurë përçarëse, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) refuzon të votojë çdo emër të propozuar nga fituesja e zgjedhjeve parlamentare, LVV-ja.
A është Haxhiu pengesë apo pretekst për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës?
Besar Gërgi nga Grupi për Studime Ligjore dhe Politike (GSLP) i sheh të dyja këto si motive të mundshme.
“Nga njëra anë, ato [partitë politike] duket se kanë një lloj rehatie me situatën, dhe nuk iu bëhet vonë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Por, nga ana tjetër, shihet se kanë edhe një mospëlqim për emrin e caktuar, të zonjës Haxhiu”, thotë Gërgi për Radion Evropa e Lirë.
Haxhiu nuk arriti të marrë më shumë se 57 vota të deputetëve në Kuvend. Të domosdoshme janë edhe votat e deputetëve të partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
PDK-ja dhe AAK-ja kërkojnë që LVV-ja të propozojë një emër tjetër, që paraqet figurë unifikuese, në mënyrë që t’i marrë votat e deputetëve të tyre.
Qëndrimet e partive për Haxhiun
LVV-ja refuzon ta ndryshojë propozimin e saj, duke arsyetuar se Haxhiu është deputetja më e votuar në Kuvend, me 125 mijë vota.
“Pesha politike, legjitimiteti i zonjës Albulena Haxhiu për të qenë kryetare e Kuvendit është i pakontestueshëm”, u tha gazetarëve deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari Lila, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, të mërkurën.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha të hënën se partia e tij nuk do ta votojë asnjëherë Haxhiun për kryetare të Kuvendit, për shkak se “ajo është simbol i dështimit të Qeverisë në mandatin e kaluar katërvjeçar”.
“Krejt mandatin e ka pasur të përcjellë me skandale të ndryshme, prej zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, e deri të ulja e buxhetit për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë”, deklaroi Krasniqi.
Ndërsa AAK-ja ka sugjeruar dy emra të tjerë të LVV-së për kryeparlamentare: Saranda Bogujevcin dhe Shqipe Selimin. Kjo parti e ka cilësuar Haxhiun si politikane jounifikuese.
“Qasja që ka pasur zonja Haxhiu, gjuha që ka përdorur ndaj opozitës është konfliktuoze, kjo ka qenë arsyeja [për mosvotimin e saj nga AAK-ja]”, thotë për Radion Evropa e Lirë deputetja e kësaj partie, Time Kadrijaj.
Për dallim nga partitë tjera, LDK-ja ka thënë se nuk do ta votojë asnjë kandidat të propozuar nga LVV-ja për kryetar të Kuvendit.
“Haxhiu, shkak dhe pretekst për ngecje”
Edhe Besar Gërgi nga GSLP-ja mendon se Haxhiu, gjatë angazhimit të saj politik si deputete dhe si ministre e Drejtësisë, ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj kundërshtarëve politikë.
Kjo është një nga arsyet, sipas tij, pse PDK-ja dhe AAK-ja kërkojnë një emër tjetër nga LVV-ja, i cili do të ishte i pranueshëm si kryeparlamentar edhe për partitë tjera.
“Për shembull, mund ta krahasojmë me kandidatin e Vetëvendosjes në legjislaturën e kaluar, Glauk Konjufca, i cili arriti të marrë disa vota edhe nga opozita”, thotë Gërgi.
Megjithatë, ai shpreh mendimin se mospajtimet e partive politike lidhur me emrin e Haxhiut si kryeparlamentare po shfrytëzohen edhe si pretekst nga palët për ta zvarritur konstituimin e Kuvendit.
“Marshimi i heshtur drejt zgjedhjeve të reja”
Besar Gërgi thekson se përfundimi i këtij procesi e hap rrugën për formimin e Qeverisë së re.
Për ta bërë këtë, LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve, do të ketë 15 ditë kohë.
Në rast se dështon, atëherë presidentja e Kosovës zgjedh partinë që ia dëshmon se i ka 61 vota për formimin e ekzekutivit.
Shtegdalje nga situata, sipas Gërgit, do të ishte formimi i një qeverie të qëndrueshme nga LVV-ja, me një nga partitë e mëdha, PDK-në ose LDK-në.
Marrëveshja për një qeveri të tillë, siç vlerëson ai, nuk duket as në horizont, ndërkaq për formimin e një qeverie të brishtë nuk kanë vullnet politik as LVV-ja në njërën anë, dhe as PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja në anën tjetër.
“Fatkeqësisht, po shohim një lloj ngathtësie nga elita politike e vendit për të formuar një qeveri, dhe ne po marshojmë në mënyrë të heshtur drejt zgjedhjeve të reja [të parakohshme]”, vlerëson Gërgi.
Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të tij, procesi i konstituimit të këtij institucioni ligjvënës nuk konsiderohet i përmbyllur. /Radio Evropa e Lirë/