Ditën e djeshme në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e katërta për krijimin e qeverisë së re. Ndërkohë kjo është hera e parë që KQZ-ja po merret me organizimin dhe monitorimin e zgjedhjeve në të gjithë territorin e Kosovës.
Pavarësisht se po jetojmë në kushte të vështira pandemie, kjo situatë nuk i ka penguar aspak as qytetarët e prekur nga Covid-19 që të votojnë. Grupe të posaçme kanë shkuar në spitale dhe shtëpitë e të infektuarve për t’u mundësuar dhe atyre të drejtën e votës.
Grupet e posaçme kishin veshur veshje speciale për t’u mbrojtur nga virusi dhe kanë troktur derë më derë me kutitë e votimit për të mbledhur votat e të sëmurëve. Kjo shërben si një shembull se në një vend ku ekziston vullneti i mirë, mund të bëhet realitet gjithçka edhe në momentet më të vështira.
Pavarësisht situatës aktuale dhe gjithë ngjarjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë, nuk ka pasur asnjë lloj përplasje dhe kjo duhet të na bëjë të gjithëve krenarë, sepse në një vend demokratik dhuna dhe aktet vandale nuk janë kurrsesi të pranueshme gjatë një procesi votimi. Edhe pse Kosova është një shtet realtivisht i ri ka shërbyer gjithmonë si një shembull i mirë se si bëhen punët e mira duke hedhur me kujdes çdo hap.