PZAP-ja dërgon në rinumërim rreth 500 vendvotime për asamble

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim që të shkojnë në rinumërim rreth 500 vendvotime që u takojnë zgjedhjeve për Kuvende Komunale të 17 tetorit.

Ky vendim erdhi pas më shumë se 350 ankesave të paraqitura në këtë institucion nga kandidatët për Kuvende Komunale kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja.

Nga ky numër i vendvotimeve që do të rinumërohen, rreth 450 janë vendvotime të rregullta, ndërsa janë përfshirë edhe dengje të votave me kusht dhe atyre me postë.

Bëhet fjalë për 10 dengje të votave me kusht nga Mitrovica e Jugut dhe tetë për Podujevë, si dhe disa dengje të votave nga jashtë Kosovës që u takojnë komunave Mitrovicë e Jugut, Poduejvë, Pejë dhe Prizren.

Këto të dhëna të paraqitura në mbledhjen e KQZ-së janë jo-përfundimtare, pasi do të shikohen edhe një herë të dhënat nga vendimet e PZAP-it.

Rinumërimi i këtyre vendovotimeve do të fillojë të hënën më 8 nëntor, në orën 17:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Gjithashtu, gjatë mbledhjes së KQZ-së, është shqyrtuar rekomandimi për zëvendësimin e Fadil Nurës me Isak Shabanin për deputetet në Kuvendin e Kosovës.

Fadil Nura i PDK-së është zgjedhur kryetar i Skenderajt, në zgjedhjet e 17 tetorit.

Ai fitoi pa balotazh duke marrë afro 58 për qind të votave./Reporteri.net

Read Previous

Gjendet një grua e vdekur në liqenin e Badovcit

Read Next

Qeveria: Po punojmë në projektligjin e Pagave