Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të ndarë 240 mijë euro për subvencionimin e teksteve shkollore për 3 mijë e 708 filloristë shqiptarë në Luginën e Preshevës.
Ndarja e mjeteve do të bëhet përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar. Ragmi Mustafi nga ky këshill, shkroi në Facebook se ky veprim është më shumë sesa administrativ, është akt solidariteti dhe përgjegjësie kombëtare që nuk lë vend për fjalë, por vetëm për mirënjohje të thellë.
Ai theksoi se fatkeqësisht Serbia edhe më tej nuk lejon në Luginën e Preshevës asnjë libër shkollor në gjuhën shqipe për rreth 3 mijë nxënësit e shkollave të mesme me planprogramet e reformuara.
Megjithatë, Mustafi shtoi se vendimi i sotëm nuk ka të bëjë vetëm me shkollimin, por me ne si komb, si një trup i vetëm që pavarësisht kufijve politikë, qëndron përkrah njëri-tjetrit. /RTK/