Qeveria e Rusisë e ka miratuar marrëveshjen e bashkëpunimit në hapësirë me Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2030, citohet të ketë thënë të shtunën shërbimi për gazetarë i kabinetit rus.
Raportet e Moskës me Uashingtonin janë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë. Presidenti amerikan, Joe Biden, ditë më parë tha se beson që homologu i tij rus, Vladimir Putin, është vrasës dhe meriton të goditet nga sanksionet për shkak të ndërhyrjes në politikën amerikane.
Presidenti rus i ishte kundërpërgjigjur duke thënë se njerëzit kanë prirje t’i shohin të tjerët ashtu si janë vet. Në përkrahje atij i doli edhe homologu turk, Rexhep Erdogan, i cili tha se komentet e presidentit Biden për Putinin janë të papranueshme.
“Marrëveshja për bashkëpunim në eksplorimin dhe shfrytëzimin e hapësirës së jashtme për qëllime paqësore do të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor 2030”, thuhet në deklaratën e kabinetit qeveritar rus, shkruan Reuters.
Departamenti i Tregtisë i ShBA-së tha muajin e kaluar se do t’i ashpërsojë sanksionet ndaj disa eksporteve të Rusisë, por do të përjashtojë pjesërisht disa produkte, siç janë ato që lidhen me aviacionin dhe hapësirën.