Qeveria e Kosovës ka proceduar për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për Anti-Doping për sportin.
Ky projektligj përcakton rregullat themelore për organizimin, administrimin dhe funksionimin e Agjencisë Anti Doping në Republikën e Kosovës.
Kjo agjenci do të merret me mbikëqyrjen e substancave të ndaluara të dopingut në sportin e Kosovës.
Projektligji është propozuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.
“Gjithashtu ky ligj përcakton rregullat themelore dhe mekanizmat që luftojnë përdorimin e substancave dhe metodave të dopingut në sport për të mbrojtur shëndetin e sportistëve, për të garantuar drejtësi dhe shanse të barabarta në garat sportive dhe për të ruajtur integritetin e sportit, në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare”, ka thënë ajo.
Kabineti qeveritar e miratoi unanimisht propozimin e zëvendësministres Osmani.
/Paparaci.com/