Qeveria në detyrë i ndan 10 milion euro si huamarrje për Telekomin

Qeveria në detyrë, ka aprovuar një huamarrje prej 10 milion eurosh për Telekomin e Kosovës. Para se të miratohet kërkesa e Telekomit, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Telekomi i Kosovës është në trend rritës në dy vjetët e fundit, por, siç ka thënë ai,  ka ende probleme të trashëguara nga “e kaluara e errët e abuzimit”.

Murati ka theksuar se Telekomi, ndonëse ka hyrë në një fazë konsolidimi dhe ka nisur të shfaqë shenja pozitive të rimëkëmbjes, ende përballet me pasoja të abuzimeve të së kaluarës.

“Telekomi kishte vështirësi të shumta financiare kur e morëm, por edhe organizative, për shkak të shumë viteve abuzim gjatë qeverisjeve të kaluara. Me bordin, menaxhmentin e duhur dhe përkushtimin e qeverisë, ndërmarrja ka nisur të këndellet duke zvogëluar shpenzimet operative dhe reduktim të stafit. Kjo ka rezultuar në rritje për investimet e reja. Trendi i të hyrave është kthyer në trend rritës. Në dy vjetët e fundit, kemi të hyra nga 7 milionë euro”, ka thënë ai.

Sipas Muratit, vështirësitë nuk janë tejkaluar të gjitha. Ai ka thënë se Telekomit tash e disa muaj i janë bllokuar llogaritë për shkak të një rasti përmbarimor nga një kontratë e mëhershme.

“Gjithsesi, vështirësitë nuk janë tejkaluar të gjitha, pra ka ende probleme nga e kaluara e errët e abuzimit shumëvjeçar të ndërmarrjes dhe shkaktojnë herë pas here probleme me likuiditet, ku ndërmarrja tash e disa muaj i ka llogaritë e bllokuara për shkak të një rasti përmbarimor nga një kontratë e dëmshme e mëhershme. Kjo ka rezultuar vonesë të pagesave për operatorët ekonomikë me të cilët ka kontratë Telekomi, por gjithsesi edhe në vonesa të obligimeve tatimore. Në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë dhe ndërmarrjes t’i kthehet përqendrimit për rritje, duhet të miratohet kjo pikë”, ka deklaruar ai./rtklive

Read Previous

“Vëllaznimi” përballet sonte me “Sigal Prishtinën” në ndeshjen vendimtare të çerekfinales

Read Next

Çmimet e naftës bien mes tensioneve tregtare SHBA-Kinë