Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim me kandidatët e për deputetë të qarkut të Elbasanit.
Rama u ndal sërish në fjalën e tij, te rëndësia e votës së shqiptarëve në 11 maj, për të mos pasur asnjë lëkundje dhe për t’i dhënë një mesazh të qartë Bashkimit Evropian se shqiptarët konfirmojnë vazhdimin e negociatave përmes votës së tyre.
“Po realizojmë një punë në nivel tjetër komplet të një populli të tërë, edhe për fëmijët, edhe për të rinjtë, edhe për ata që s’do votojnë në 11 Maj që janë 14 vjeç dhe që mbas katër vjetësh do jenë 18 vjeç dhe do marrin pasaportën. Nëse në 11 maj të gjithë shkojnë në votim me këtë qartësi, atëherë negociatat mund të vazhdojnë pa asnjë lëkundje, që do të thotë në 12 maj ne kemi punën tonë, numërimi i votave, komisionet, por ama ata që shkojnë në zyrë çdo të hënë për të punuar me negociatat që janë 1000 veta në të gjithë rrjetin e punonjëse të shtetit nuk duhet të kenë luhatje dhe çfokusim dhe për ata që janë në Bruksel, që populli shqiptar konfirmoi vazhdimin e negociatave”, u shpreh Rama.
“Jo një lëkundje, duke futur në mes qoftë edhe një rrjedhje sado të vogël të kënetës apo të moçaleve të vogla që janë krijuar rreth kënetës dhe i thonë vetes jemi parti të reja me baballarët dhe tezet në listat e mbyllura. Kjo është esenca e 11 majit. Kjo kërkon disa sqarime, shpjegime, që janë të nevojshme sepse ka njerëz sot që thonë ça është ky muhabet 12 vjet nuk na futët, do na fusni tani se doni mandatin e katërt…E para, Serbia ka filluar negociatat në vitin 2014 dhe Serbia sot në 2025 është mbrapa nesh, Mali i Zi i ka filluar në 2012, sot ne e kemi arritur Malin e Zi dhe jemi krahë për krahë dhe plani është që ne dhe Mali i Zi të hyjmë në BE dhe BE të japi një sinjal të qartë që po zgjerohet dhe po riunifikohet se ky është qëllim gjeopolitik. Prandaj, jemi sot me fatin evropian që na buzëqesh konkretisht. Në vitin 91’-92’ shqiptarët votuan përtej, shkuan shumë përtej unë atëherë nuk e votova PD dhe jam shumë i qetë, ça të votoja…”, tha Kryeministri.
Kreu i qeverisë theksoi se Maqedonia është bërë kandidate për t’u futur në BE në vitin 2005 dhe sot akoma nuk i ka hapur negociatat. Ndaj, sipas tij, ky është momenti për Shqipërinë që do të shënjojë edhe një integrim rekord në historinë evropiane të integrimit, në vetëm tre vjet.
“Ne i kemi hapur negociatat vjet dhe mund t’i mbyllim në 2027, një shpejtësi marramendëse. Kur Komisioni thoshte të futet Shqipëria, ngrihej Holanda dhe thoshe “Jo”. Sot, ne kemi punuar pavarësisht se nuk na i kanë hapur negociatat zyrtarisht, kemi fituar shumë kohë dhe mund t’i mbyllim në 2027. Do të jetë rekord në gjithë historinë e integrimit. E filluam nga vrima e fundit e kavallit, nuk na hidhte njeri sytë dhe sot mund të jemi vendi që i ka bërë negociatat më shpejt nga të gjithë, 3 vjet, nuk ndodh!”, pohoi Rama. /ATSH/