Rama: Shqipëria, i vetmi vend në rajon ku biznesi i vogël paguan zero taksë

Edi Rama [Ph Credits: Cese]

Kryeministri Edi Rama, në bashkëbisedimin e drejtpërdrejtë me qytetarët në rrjetet sociale në rubrikën “Sy m’sy” deklaroi sot se, Shqipëria ka të vetmin sistem në rajon ku biznesi i vogël paguan zero taksë.

Rama u shpreh se intensiteti i zhvillimit ekonomik është si asnjëherë më parë.

“Nartyrisht që jam i vetëdijshëm që duhet bërë diçka më shumë për të zbutur rritjen e çmimeve në disa raste jashtë edhe logjikës, por ama shifrat flasin vetë, faktet flasin vetë.

Ai solli disa shifra nga ekonomia.

“Nëse kur ne morëm detyrën ishin rreth 100 mijë kompani aktive, sot janë 250 mijë kompani aktive në Republikën e Shqipërisë nga më të voglat, deri tek më të mëdhatë. 250 mijë. Pra janë një shifër jashtëzakonisht domethënëse”, tha Rama.

“Ashtu sikundër një tjetër shifër e rëndësishme që dua ta kujtoj, se flasim për shumëçka, por ama gjithmonë duhet t’i referohemi pikënisjeve, sepse pikënisjet na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë kemi bërë, çfarë jemi në gjendje të bëjmë akoma dhe pse ambicia jonë mund të jetë dhe është në fakt për të bërë dhe shumë më tepër.”

Rama u shpreh se falë taksimit progresiv njerëzit kanë pasur në xhep 145 milionë euro në vit që përndryshe ia paguanin shteti nga paga e tyre.

“Ne sot kemi në Republikën e Shqipërisë 57% të të punësuarve me zero taksë. Kemi 36% të të punësuarve me taksë 4-10%. Janë në normat më të ulta në rajon, se në Evropë nuk kemi çfarë diskutojmë fare. Për t’i dhënë më shumë mundësi njerëzve që të kenë më shumë në xhep. Dhe vetëm rreth 5%, pak më shumë se 5% e të punësuarve kanë taksë mbi pagën mbi 10%”, tha Rama.

“Kjo do të thotë se kur ne morëm detyrën ishte taksimi i padrejtë 10% për të gjithë njësoj dhe me këtë sistem që ne futëm të taksimit të ndershëm progresiv u kemi lënë njerëzve në xhep 145 milionë euro në vit, që përndryshe ia paguanin shteti nga paga e tyre përpara se ne të ndryshonim sistemin, sot i kanë në xhep. Janë 1,4 miliardë euro në 10 vjet që ia kemi hequr buxhetit të shtetit dhe ia kemi lënë qytetarëve”, u shpreh Rama.

Rama u shpreh se Shqipëria ka të vetmin sistem në rajon ku biznesi i vogël paguan zero taksë.

“Këto janë fakte, janë shifra domethënëse. Ashtu sikundër është shumë domethënëse shifra që ne kemi të vetmin sistem në Evropë, por Evropën sërish nuk e diskutojmë, sepse i ka shumë të larta taksat, por flasim për rajonin, të vetmin sistem në rajon ku biznesi i vogël paguan zero taksë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se është fakt që të ardhurat për frymë janë më shumë sesa dyfishuar në Shqipëri.

“Kemi qenë me të ardhurat për frymë më pak sesa 4 mijë euro dhe jemi mbi 10 mijë euro sot”, tha Rama.

“Kemi filluar me një Prodhim të Përgjithshëm Kombëtar më pak se 10 miliardë dhe sot jemi afro 25 miliardë. Pra dy herë e gjysmë. Këto janë fakte. U shpreh Rama.

Për turizmin, Rama tha se, ‘kemi filluar me një aeroport me pak më shumë se 1 milion pasagjerë, vitin e shkuar kishim më shumë se 11 milionë pasagjerë. Që do të thotë xhiro, xhiro, xhiro, të ardhura, të ardhura, të ardhura, konsum, konsum, konsum”. /ATSH/

Read Previous

Kryeministri britanik propozon dërgimin e 30 mijë ushtarëve evropianë në Ukrainë

Read Next

36 vjet nga greva e minatorëve të Trepçës