Raporti për të drejtat e njeriut

Shtypja e mendimeve ndryshe, përshkallëzimet e konflikteve të armatosura, përpjekjet e pamjaftueshme për të adresuar kolapsin klimatik, si dhe reagimi në rritje në mbarë botën kundër të drejtave të migrantëve, refugjatëve, grave, vajzave dhe personave LGBTI, janë çështje që janë ngritur në raportin vjetor për të drejtat e njeriut të organizatës ndërkombëtare, Amnesty International (AI), të publikuar më 29 prill.

“Secila prej këtyre çështjeve përballet me përkeqësim të mëtejshëm në një vit të trazuar si 2025, nëse nuk arrihet një kthesë globale”, tha AI.

Raporti vjetor i Amnesty International – që tregon se sa po respektohen të drejtat e njeriut nëpër botë – përmendi mosmiratimin e Ligjit për fertilizimin e asistuar dhe shëndetin riprodhues (IVF) dhe Kodin Civil në Kuvendin e Kosovës.

“Qasja në IVF vazhdoi të jetë e qasshme vetëm në klinika private, pas një tjetër tentimi të dështuar në parlament për ta kaluar ligjin për shëndetin riprodhues që do ta mundësonte shërbimin e IVF-it në spitale publike”, thuhet në raportin vjetor të AI.

Aty gjithashtu thuhet se debati në Parlament është ndjekur me “dezinformata dhe gjuhë të urrejtjes ndaj grave beqare nga disa deputetë”.

Radio Evropa e Lirë kishte raportuar për deputetët të cilët e kishin kundërshtuar këtë ligj, duke u thirrur në besimin e tyre se kështu e mbrojnë “familjen si institucion” dhe se se IVF-ja duhet të jetë opsion vetëm për çiftet e martuara heteroseksuale.

Të njëjtit deputetë – bashkë me disa të tjerë – kanë kundërshtuar edhe kalimin e Kodit Civil në Kuvendin e Kosovës – i cili megjithatë nuk është sjellë për miratim në Kuvend që nga viti 2022.

Mospajtimet e deputetëve lidheshin me nenin që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

Përpos dështimit të kalimit të Kodit Civil, Amnesty International, në raportin vjetor, theksoi se të mbijetuarit e dhunës në familje që i përkasin komunitetit LGBTI+ (lesbikë, gej, biseksual, transgjinorë, ndërgjinorë, etj) “nuk kanë ende qasje në strehimore të specializuara”.

REL-i në të kaluarën ka raportuar edhe për këtë problem, që ndër vite ka detyruar të mbijetuarit e dhunës në familje që i përkasin këtij komuniteti të largohen nga Kosova për t’u shtrehuar në Tiranë të Shqipërisë.

Në pjesën për Kosovën të këtij raporti përmendet edhe dështimi në tentimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës,tentimet për të hetuar dhe gjykuar rastet e krimeve të luftës, miratimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave – që megjithatë javën e kaluar u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese, dhe marrëveshja me Danimarkën për strehimin e të burgosurve në Kosovë./REL/

Read Previous

Liberalët e Mark Carney fitojnë zgjedhjet në Kanada

Read Next

Steinmeier në selinë e NATO-s: Gjermania do të bëhet shtylla kurrizore e mbrojtjes së Evropës