Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së, i pashqetësuar në asnjë çast

Prej nisjes së muajit zgjedhor, kryeministri Edi Rama e ka bërë anëtarësimin në BE deri në vitin 2030 një pjesë kyçe të fushatës së tij përpara zgjedhjeve të 11 majit.

Falë angazhimit të vendeve anëtare dhe falë udhërrëfyesit të Komisioneres së Zgjerimit, Marta Kos, Rama shprehu bindjen nga Luksemburgu më 14 prill se “brenda vitit 2027, jo vetëm gjithë kapitujt do të hapen, por edhe do të mbyllen”.

Ky përvijim i diskutimit të integrimit evropian të Shqipërisë në Union, ka dalë për disa momente edhe jashtë kornizave kombëtare, hera-herës edhe përtej oqeanit.

Një ditë para Konferencës së Katërt Ndërqeveritare (IGC) BE-Shqipëri, e përditshmja gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung publikoi një artikull me titullin “Një refuzim i zgjerimit të BE-së”.

Sipas FAZ-it, në marrëveshjen e koalicionit qeverisës në Gjermani ka një fragment me katër fjali që deri më tani ka marrë pak vëmendje, edhe pse mund të ketë një ndikim vendimtar në politikën e jashtme.

“Zgjerimi i BE-së dhe aftësia e saj për të përthithur anëtarë të rinj duhet të shkojnë dorë për dore. Prandaj, jo më vonë se me zgjerimin e ardhshëm, na duhet një konsolidim dhe reformë e brendshme e BE-së që e forcon atë institucionalisht”, thuhet në gjysmën e parë.

E dyta: “Parimi i konsensusit në Këshillin Evropian nuk duhet të bëhet frenim për vendimmarrjen. Kjo vlen në parim edhe për vendimet e mbetura që kërkojnë unanimitet në Këshillin e BE-së”.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian reagoi për këtë raportim duke deklaruar për Albanian Post se “BE-ja duhet të thellohet ndërsa zgjerohet”.

“BE-ja ka filluar përgatitjet sot për Unionin e së nesërmes”, shtoi ai në një përgjigje zyrtare.

Brukseli zyrtar e sheh “zgjerimin si katalizator për progres në aspektin e aftësisë sonë për të vepruar, politikave tona dhe programeve tona të shpenzimeve”, sqaroi në vijim zyrtari evropian.

Sipas tij, si BE-ja ashtu edhe Shtetet Anëtare të ardhshme “duhet të jenë gati në kohën e anëtarësimit”.

“Ne duhet të punojmë paralelisht”, theksoi ai.

“Kjo është arsyeja pse, gjatë këtij mandati, Komisioni do të paraqesë rishikimet e politikave para zgjerimit duke u përqendruar në sektorë individualë si sundimi i ligjit, tregu i përbashkët, siguria ushqimore, mbrojtja dhe siguria, klima dhe energjia dhe migrimi, si dhe konvergjenca sociale, ekonomike dhe territoriale në një kuptim më të gjerë”, tha zëdhënësi i KE-së për AP-në.

Për zyrtarin evropian, paralelisht, me politika si Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Instrumenti i Ukrainës, “vendet e reja mund të rriten shpejt edhe para anëtarësimit, duke u përballur me sfidat e mundshme që para anëtarësimit”.

Oferta e supozuar amerikane

Një raportim i dyfishtë hodhi hije dyshimi se “administrata amerikane shihej se po ushtronte presion të tepruar mbi Shqipërinë për të ndryshuar kursin e saj pro-evropian”.

I pyetur nga Politico nëse Washington-i kishte ndërmarrë një fushatë të tillë, Rama shkroi në një mesazh se sugjerimi ishte “LAJM I RREMË”.

24 orë më pas, Marta Kos u pyet nëse ishte në dijeni të ofertës së supozuar nga administrata e re amerikane ndaj Shqipërisë për të braktisur negociatat me BE-në në këmbim të investimeve, por tha se nuk kishte dijeni për këtë.

Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi të mos e komentojë një aludim të tillë, duke e deleguar përgjigjen në praninë diplomatike të Tiranës.

Këto aludime deri më tani nuk gjejnë asnjë konfirmim zyrtar si nga autoritetet shqiptare ashtu edhe në qarqet diplomatike të BE-së.

“Investimet e huaja në vendet kandidate aktualisht po lulëzojnë. Vendet kandidate duan të bashkohen me Bashkimin Evropian sepse e shohin atë si mënyrën më të rëndësishme dhe të besueshme për të siguruar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e tyre afatgjatë”, pohoi gjatë bashkëbisedimit zyrtari evropian për AP-në.

Sipas tij, në fund të fundit, i takon secilit vend të vendosë për të ardhmen e tij dhe se cilën rrugë dëshiron të ndjekë.

“Sapo një vend të ketë filluar rrugën drejt anëtarësimit në BE, i takon atij vendi të përmbushë të gjitha hapat e nevojshëm dhe të bëjë punën, dhe kjo duhet të jetë një ushtrim i të gjithë shoqërisë. Anëtarësimi në BE është në fund të fundit një proces i bazuar në meritë”, shtoi ai.

Gjatë vizitës në Tiranë, kur u pyet Kaja Kallas nëse viti 2030 është një objektiv realist për anëtarësimin e Shqipërisë në Union, kryediplomatja e BE-së u përgjigj pozitivisht, duke theksuar se ky objektiv është i arritshëm nëse “të gjitha palët përmbushin detyrimet e tyre”.

Kryeministri Rama deklaroi nga ana e tij se Shqipëria është plotësisht në përputhje me Bashkimin Evropian në të gjitha fushat.

Ai zbuloi se, gjatë takimit të tij me Kallas, të dy diskutuan procesin e anëtarësimit dhe një “afat kohor shumë ambicioz” të rënë dakord me Komisionin Evropian për të përfunduar negociatat deri në vitin 2027.

“Nga ana jonë, ne do t’i mbështesim kandidatët për të ndihmuar në ndërmarrjen e hapave në reformat kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike që janë të nevojshme për të përparuar në rrugën e BE-së. Këto reforma gjithashtu kontribuojnë në krijimin e një sistemi ekonomik dhe ligjor të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm që është i favorshëm për tërheqjen e investimeve të huaja”, ravijëzoi drejt mbylljes zyrtari evropian për AP-në.

Në fund të fundit, projekti i BE-së është “një investim afatgjatë në sigurinë afatgjatë”./Albanianpost.com

Read Previous

Kina anekson një ishull pranë bazës ushtarake të Filipineve

Read Next

CNN: Putini po përdor taktika klasike ruse në bisedimet me SHBA-në