Rusia dënon 72-vjeçarin amerikan pasi kishte luftuar për Ukrainën

Një gjykatë ruse ka dënuar të hënën një amerikan 72-vjeçar me gati shtatë vjet burgim, pasi dyshohet se ka luftuar si mercenar në Ukrainë.

Prokurorët kanë thënë se Stephen Hubbard nënshkroi një kontratë me ushtrinë ukrainase pasi Rusia dërgoi trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 dhe ai luftoi përkrah tyre derisa u kap dy muaj më vonë, raporton AP.

Ai është dënuar me gjashtë vjet e 10 muaj burgim. Prokurorët kishin kërkuar një dënim prej shtatë vjetësh në një burg të sigurisë maksimale.

Hubbard, nga shteti i Miçiganit, është amerikani i parë i njohur që është dënuar me akuzën se ka luftuar si mercenar në konfliktin ukrainas.

Akuzat parashikonin një dënim të mundshëm prej 15 vjetësh, por prokurorët kërkuan që mosha e tij të merret parasysh së bashku me pranimin e fajit, kanë raportuar mediat ruse. 

Arrestimet e amerikanëve janë bërë gjithnjë e më të zakonshme në Rusi vitet e fundit. Është rritur shqetësimi se Rusia mund të synojë shtetasit amerikanë për arrestim për t’i përdorur më vonë si pazare në bisedimet për të rikthyer rusët e dënuar për krime në SHBA dhe Evropë.

Gjithashtu të hënën, një gjykatë në qytetin e Voronezh dënoi amerikanin Robert Gilman me shtatë vjet e 1 muaj burgim për gjoja sulm ndaj oficerëve të zbatimit të ligjit ndërsa vuante dënimin për një sulm tjetër.

SHBA-ja dhe Rusia në gusht përfunduan shkëmbimin e tyre më të madh të të burgosurve në historinë post-sovjetike, një marrëveshje që përfshinte 24 persona, shumë muaj negociata dhe lëshime nga vendet e tjera evropiane, të cilat liruan rusët në paraburgim si pjesë e shkëmbimit. Disa qytetarë amerikanë mbeten pas hekurave në Rusi pas shkëmbimit./koha.net/

Read Previous

IPK-ja arreston një zyrtar të njësisë për mbrojtje të afërt

Read Next

Foda jep versionin e tij për përjashtimin e tre futbollistëve nga grumbullimi