Rastet e të infektuarve me Covid-19 dita-ditës janë duke u rritur. Mbase kjo po bën që disa prej qytetarëve të gjakovës të veprojnë konform masave të parandalimit të këtij virusi. Mbajtja e maskës duket se është kthyer në trend për gjithësecilin që prioritet ka shëndetin.
Në krye të detyrës janë edhe uniformat blu. Maj. Milazim Lumi, komandant i Stacionit Policor në Gjakovë, tha se nga dita e premte e deri më tani janë shqiptuar 142 gjoba për mosmbajtje të maskës.
Ndërsa, përmes një email-i, Fazli Hoxha, drejtori i inspektoriatit në komunën e Gjakovës ka thënë se:
Drejtoria për Punë Inspektuese në Komunën e Gjakovës, gjegjësisht inspektorët sanitarë dhe inspektorët e tjerë të autorizuar, së bashku me inspektorët sanitarë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe Policinë e Kosovës në vazhdimësi janë duke mbikëqyrur zbatimin e Ligjit Nr.07/L-006 Për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19. Vetëm gjatë kësaj periudhe janë kryer mbi 100 inspektime dhe janë shqiptuar 6 gjoba për shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, si dhe janë lëshuar 18 urdhëresa për parregullsitë e konstatuara. Inspektorët sanitarë kanë nxjerr 1051 vendime për izolim për personat e rezultuar me Covid-19. Vetëm gjatë këtyre tre muajve, inspektorët sanitarë kanë mbikëqyrur 18 procedura të varrimeve të personave të cilët kanë vdekur si rezultat i infektimit me Covid-19. Në Komunën e Gjakovës po vazhdohet me inspektime edhe gjatë vikendeve dhe pas orarit të rregullt të punës, krejt kjo me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të vendimit të Qeverisë dhe Ligjit Nr.07/L-006 Për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19.
Me këtë rast është thënë se qytetarët e komunës së Gjakovës duhet t’i përmbahen udhëzuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, me qëllim që të parandalojmë përhapjen e virusit Covid-19, në të kundërtën inspektorët janë të detyruar të ndërmarrin masa ndëshkuese që janë të përcaktuara me ligj.