Salihu: Zhvillimet në FFK e kanë rrënuar imazhin e futbollit të Kosovës

Ish-sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, mendon se zhvillimet e fundit në këtë institucion po ndikojnë negativisht në imazhin e futbollit të Kosovës në botë. Në një intervistë për KosovaPress, ai flet edhe për 6-vjetorin e anëtarësimit në UEFA duke kujtuar gjithë çfarë ndodhi dhe punën e madhe që u bë pas pranimit.

Salihu thotë se nga dita e pranimit në organizatat sportive ndërkombëtare, futbolli i Kosovës ka pasur zhvillim të madh, por shpreh brengën se zhvillimet e fundit brenda FFK-së po dëmtojnë imazhin e futbollit tonë.

Ai madje kërkon që presidenti i rizgjedhur i FFK-së Agim Ademi, të largohet sa më shpejtë nga ky post.

Salihu: Zhvillimet në FFK e kanë rrënuar imazhin e futbollit të Kosovës

“Të jeni të bindur që vetëm për shkakun e një personi, presidentit të tanishëm, imazhi i futbollit të Kosovës ka rënë në mënyrë drastike. Ai mund të përqafohet me Infantinon e Ceferinin. Unë kam qenë shumë vite anëtar i Komitetit Ligjor të UEFA-s, i kam ndihmuar edhe palës së UEFA-s kur ka pasur Serbia padi kundër UEFA-s e të tjera, i njoh zhvillimet edhe flas me ta. Shumë imazhi ka rënë pothuajse në nivelin më të ulët të mundshëm, mos të flas për vendin tonë ku njerëzit kanë filluar ta humbin besimin, e kanë humbur atë euforinë që kur ishim në stadium trupi të rrëqethej. Pra, mendoj që ky njeri i ka harxhuar të gjitha kreditet morale, shoqërore, fetare edhe sa më shpejtë të largohet aq më shpejtë Federata e Futbollit do të shkojë përpara”, deklaroi Salihu.

Ditë më parë,Kosova mbushi gjashtë vite si anëtare me të drejta të plota në organin më të lartë të futbollit evropian UEFA. Për ta arritur këtë objektiv ishte bërë një punë e palodhshme e drejtuesve të asaj kohe në Federatën e Futbollit të Kosovës që drejtohej nga legjenda e futbollit Fadil Vokrri.

Salihu, si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-presidentit Fadil Vokrri, rrëfen për KosovaPress punën e palodhshme që ishte bërë në atë kohë për inkuadrim në UEFA e cila kishte nisur që nga vitit 2008.

Salihu: Përpjekjet për anëtarësim në FIFA dhe UEFA filluan që në vitin 2008

“Me Fadilin nga viti 2008 vazhdimisht kemi tentuar që të gjejmë hapësira që ta shtyjmë çështjen përpara dhe produkti i parë ka qenë qysh në vitin 2008 kur kemi aplikuar zyrtarisht në FIFA për pranim, një aplikacion që në fakt e kam punuar vet, pothuajse 300 faqe, ka qenë një dokument mjaftë gjithëpërfshirës dhe presidenti Vokrri ka qenë ajo fuqia që i ka shpërthyer ato barrierat për shkak jo vetëm të karakterit të tij që ka pasur të butë dhe diplomatik por edhe për shkak të karrierës së tij…Pastaj kemi kërkuar ndeshje ndërkombëtare miqësore, ju e dini me vështirësi të mëdha kemi arritur, e kemi luajtur ndeshjen me Haitin në Mitrovicë dhe kemi kërkuar qasje në edukim-trajnim. Në fakt kemi punuar më shumë vet, në kohë të Albert Bunjakit ka ndihmuar shumë të fillojnë licencimet e hershme me federatën suedeze, pastaj kemi nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me federatën gjermane. Kemi trajnuar shumë dhe kemi licencuar shumë trajnerë që ka qenë shumë jetike për t’u përgatitur për fazën finale. Dhe pastaj në vitin 2016, më 3 maj jemi pranuar me të drejta të plota në një seancë historike”, tha Salihu.

Por, ish-sekretari i FFK-së zbulon për KosovaPress se kishte ndodhur një moment shumë i rëndësishëm që hapi rrugën për anëtarësim në UEFA dhe ai moment ishte i lidhur me ish-presidentin e UEFA-s, Michel Platini.

Salihu: Fjalët e Michel Platini ishin vendimtare për pranim në UEFA

“Kësaj i ka paraprirë mos të harrojmë një mbledhje jashtëzakonisht e rëndësishme në Maltë, ka qenë ‘Top Ekzekutiv Program’ quhet. 54 federata kanë qenë, ne kemi qenë mysafir dhe aty z.Platini ka marrë një vendim krucial, substancial dhe na ka përqafuar para se të nisemi që të kthehemi në Stamboll, e kemi pritur së bashku me presidentin Vokrri në Stamboll, derisa Shukeri na lajmëronte nga komiteti. Aty është marrë vendimi. Platini ka thënë ‘Duhet ta qesim në Asamblenë e UEFA-s’ dhe ky ka qenë hapi krucial juridik, ndryshe Zoti e di se çfarë do të bëhej…Mbledhja në Budapest ka qenë një ngjarje ne vete, ju e dini që 28 shtete kanë votuar për, 24 kundër ndërsa të tjerat kanë abstenuar”, shpjegon ish-sekretari i FFK-së.

Puna dhe përkushtimi nuk kishin munguar por vështirësitë për ta arritur këtë qëllim gjatë rrugës ishin të mëdha dhe Salihu kujton disa prej tyre

Salihu: Nuk kishim rrymë për të dërguar shkresa në vendet anëtare të FIFA-s

“Puna nuk ka munguar kurrë. Ne kemi punuar këtu në dy-tre zyre të vogla edhe e di që çdo kuvend që ka qenë, çdo asamble, do të thotë nga viti 2008 kanë qenë intensive sepse vetëm kemi luajtur ndeshje miqësore e të tjera por ka qenë tanimë një luftë politike, nuk kishte të bënte më me sport…Punën kryesore e kemi bërë ne, Fadili, unë, sidomos pjesën, 99 përqind të të gjitha shkresave i kam bërë vetë, pothuajse në katër apo pesë gjuhë dhe më kujtohet që është dashur nganjëherë presidenti Vokrri më thërriste në ora 7-8 në mbrëmje. Thoshte t’iu shkruajmë të gjitha shteteve të FIFA-së, 209 shteteve deri në mëngjes iu kemi shkruar. Tërë natën me fax, e-mail që ta senzibilizojmë çështjen…Në Budapest kur e kemi kuptuar sa vështirë ka qenë të vijmë deri aty ‘Edhe të vdes’, thoshte Fadili ‘tani ne kemi hyrë në histori’ thoshte. Kështu që u shpaguan gjitha ato net , të gjitha ato mundime. S’ka pas rrymë, nuk kishim rrymë për të dërguar një fax e të tjera, e të tjera. Pra ka qenë një punë në kontuinitet”, tha Salihu.

Pas pranimit në UEFA, fillimi ishte shumë i vështirë edhe në aspektin e formimit të kombëtares. Salihu kujton se ditën e ndeshjes së parë zyrtare, atë kundër Finlandës, Kosova i kishte vetëm dy lojtarë të regjistruar në FIFA.

Salihu: Ditën e ndeshjes me Finlandën i kishim vetëm dy lojtarë të regjistruar në FIFA

“Mëngjesin e lojës i kishim vetëm dy lojtarë të regjistruar sepse kishim bërë kërkesë në “FIFA Players Status Comunitty” që Bajrami, Shala dhe disa i patëm angazhuar që të bëjnë kërkesë dhe i kishim dy lojtarë. Pastaj katër, na u bënë pesë, pasdite 7-8, dikur më thotë presidenti Vokrri, ‘Eroll i kemi bërë 11, lojën po e luajmë’, brenda ditës, ditës së lojës dhe pastaj e morëm lejen nga FIFA dhe në mbrëmje e zhvilluam lojën e parë 1-1 ku Valon Berisha e shënoi golin e parë në histori”, kujtoi Salihu.

Ndryshe, Salihu ishte sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, por u shkarkua nga ky post së fundi me vendim të Komitetit Ekzekutiv të kësaj federate. /KosovaPress/

Read Previous

Suedia rikthen kontrollet kufitare, duke përmendur “një kërcënim serioz”

Read Next

Një rrugë në New York do marrë emrin “Skënderbeu”