SBASHK-u kundër shtyrjes së vitit të ri shkollor

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, Rrahman Jasharaj, ka thënë se personeli shëndetësor në vend është kundër që fillimi i viti të ri shkollor të shtyhet pas 27 shtatorit.

Duke e pa rënien e rasteve aktive dhe atyre të reja me COVID-19, Jasharaj ka shprehur bindjen se më në fund fëmijët dhe mësimdhënësit do t’u kthehen shkollave në fund të shtatorit.

“Çdo shtyrje tjetër do të krijonte probleme shtesë e s’do të gjejmë përgjigje për orët dhe ditët e humbura deri tash”, ka thënë ai.

Jasharaj ka shprehur shqetësimin për situatën me mësimdhënëset shtatzëna që duhet të punojnë edhe pse pandemia ende është aktuale.

Sipas Jasharajt, pas 13 shtatorit ka qenë më mirë që shteti të përgatitej për mësim online sesa për shtyrje tjetër.

“Qeveria nuk duhet të mendojë më për shtyrje të tillë sepse SBASHK-u do të reagojë sepse do të jetë e pamundur që të zëvendësohen më shumë orët. Deri më datë 27 shtator do t’i kemi 18 ditë të humbura dhe krejt çka mund të bëjmë është që pushimin pranveror ta heqim e jo në fund të vitit të kemi zgjatje sepse shkollat tona s’po janë të përgatitura për temperaturat e larta. Mësimi në fund po shihet se s’ka efekt”, ka thënë tutje ai.

Fillimisht fillimi i vitit të ri shkollor, për shkak të situatës alarmante me COVID-19, u shty nga 1 shtatori deri më 13 shtator. Pas kësaj, u shty sërish për 27 shtator./Koha.net

Read Previous

COVID-19 ka vrarë po aq amerikanë sa gripi i vitit 1918

Read Next

Messi u zëvendësua për shkak të një shqetësimi në gju