Sebastian Vettel zgjedh studimet në bujqësi në vend të rikthimit në Formula 1

Sebastian Vettel, dikur i përfolur për një rikthim të mundshëm në Formula 1, ka zbuluar një rikthim të ri dhe befasues, kthimin në shkollë.

Ndërsa Max Verstappen festoi kampionatin e tij të katërt botëror në Las Vegas, kampioni i katërfishtë botëror Vettel mori pjesë në një ceremoni çmimesh në Braunschweig, Gjermani, ku ndau planet e tij të së ardhmes.

“Unë në fakt do të shkoj në shkollë”, tha katër herë kampioni i botës për “RTL” duke buzëqeshur. “Unë jam duke bërë praktikën në bujqësi”.

Kur u pyet nëse ai planifikon të bëhet një fermer plotësisht i kualifikuar, Vettel sqaroi: “Jo plotësisht. Pas kësaj, unë mund të drejtoj biznesin tim”.

“Kjo zonë më magjeps”, shtoi ai.

Ish-piloti i Ferrarit dhe Aston Martin, i cili jeton me gruan dhe tre fëmijët e tij në një shtëpi ferme në Zvicër, ka qenë prej kohësh i njohur për interesin e tij për natyrën, qëndrueshmërinë dhe mjedisin.

“Më duket jashtëzakonisht emocionuese kur bëhet fjalë për të ardhmen e bujqësisë”, shpjegoi Vettel.

“Me tre fëmijët, gjithsesi ka mjaft për të bërë. Jeta ime është shumë më e qetë se dikur. Unë nuk udhëtoj më aq shumë”, shtoi ai.

Vettel ka treguar gjithashtu një interes për politikën dhe ka shprehur mbështetje për kandidatin e Partisë së Gjelbër Robert Habeck në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme federale të Gjermanisë në fillim të vitit 2025.

“Unë besoj se ai ka një botëkuptim shumë të shëndetshëm”, tha Vettel. “Ai po përpiqet ta bëjë Gjermaninë më të mirë dhe është vërtet i motivuar për ta bërë këtë. Si gjithmonë, kur përpiqesh të bësh gjithçka siç duhet ose të bësh gjithçka më mirë, jo gjithmonë ia del mbanë. Mendoj se kjo është njerëzore. Por mendoj se duhet të shikojmë e ardhmja”.

Lidhur me presidentin e zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, Vettel nuk u përmbajt: “Unë mendoj se ai është një person i keq”.

Sa i përket një rikthimi të mundshëm në motorsport, Vettel përjashtoi një rikthim në Formula 1, por la të hapur derën për mundësi të tjera.

“Nuk po kthehem në Formula 1”, pranoi ai. “Por Le Mans mund të jetë një opsion”. /Albanianpost.com

Read Previous

PD ka kërkuar leje për 3 orë tubim

Read Next

Ukraina: Rusia na ka sulmuar me afër 200 dronë